Banorët e fshatit Bërxullë janë ngritur sërish në protestë sot duke kërkuar shpronësim të drejtë të tokave që do t’u shpronësohen për rrugën e re konçensionare si edhe mbikalime dhe nënkalime në projetin e autostradës së re Thumanë - Kashar, pasi pikërisht në atë rrugë ku ata po protestojnë ka pasur 24 viktima.

 

Banorët i kanë dërguar një mesazh kritik dhe politikanëve që aspirojnë të drejtojnë pushtetin lokal pas zgjedhjeve të 14 Majit, që të mos u ngjajnë atyre që sot po e marrin popullin nëpër këmbë. Thirrja më e fortë nga një banor iu drejtua Këshillit të Europës, që ta shohë se si e trajton kjo qeveri popullin  e saj. 

 

“Me këto mënyra se si po sillen, ne do të na çojnë drejt vetëgjyqësisë”, paralajmëroi njeri nga protestuesit, kurse nj tjetër, më i moshuar tha:

 

 

“U bënë disa ditë, disa muaj e do të shkojë një vit bën vaki, sepse qeveria jonë kështu është. E sheh edhe bota me syrin e vet. Qeveria shqiptare nuk shkon dot në Evropë duke shtypur atë punëtorin, fshatarin, më të varfrin. T'i thërresë mendjes së kokës edhe Këshilli i Evropës që e ndjek këtë proces, na sheh në televizor e rrofshin mediat.

 

Ne nuk kemi frikë.as nga shteti as nga njeri, kemi frikë nga ligji. Edhe këta njerëzit që na rrethojnë e që janë njerëzit që mbrojnë ligjin, vetëm se nuk shprehen, se palë bashkë me ne janë.

 

Unë kisha për të bërë një sugjerim të vogël për këta që do të vijnë, pasardhës, drejtues të pushtetit vendor: Ishalla nuk paçin fatin e këtyre që nuk e ndjekin këtë popull kaq të rrezikuar, që sot mund të jetë gati minus e do të kishin ngelur në qiellin e hapur.

 

Ne s'po kërkojmë as desh të pjekur, as bakllava. Ne kërkojmë një çmim toke mesatar, të biem në ujdi me marrëveshje, të na shpronësohen gjërat tamam sipas rregullit, të bëhen kalime, mbikalime, nënkalime sepse vetëm prej ministrit të Infrastrukturës janë 24 viktima në këtë kryqëzim ku jemi ne! A ka më turp më të madh?! Për 7 metra, të bëhet një rrethrrotullim dhe nuk vret asnjeri. Po këta janë mësuar të vjedhin dhe nuk pushojnë së vjedhuri përditë”.