Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur sot lidhur me normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

 

Në një intervistë për Top Channel, Kurti është shprehur i gatshëm për një marrëveshje, por sipas tij Serbia është mjaft agresive e nuk shkëputet dot nga e shkuara dhe as nga e tashmja problematike.

 

Kryeministri nënvizon se Serbia është një regjim hibrid dhe nuk është e pavarur nga federata ruse, e kjo gjë e bën të vështirë një fqinjësi të mirë.

 

I pyetur se kur mund të arrihet një marrëveshje definitive mes Kosovës dhe Serbisë, Kurti shprehet: “ Qysh dje po të varet prej meje, por është e qartë se pala e cila nuk është konstruktive, pala e cila është agresive, ajo e cila nuk distancohet as nga e kaluara pra Millosheviçi, as nga e tashmja problematike për kontinentin tonë, pra Kremlini e Putini është Beogradi zyrtar”.

 

Ai thekson se “ne si shtet demokratik dhe i pavarur jemi të bindur që jemi edhe më demokratik edhe të pavarur se sesa Serbia. Ajo është një regjim hibrid, autokraci praktikisht dhe në anën tjetër nuk është e pavarur nga federata ruse”.

 

“Kjo bën që ta kemi fqinjësinë e vështirë, ndërkohë që kemi dëshirë të kemi fqinjësi të mirë, por për këtë do të ndihmojë shumë zbatimi i kësaj marrëveshje që e kemi dakordësuar në Bruksel dhe në Ohër e cila nënkupton njohje de fakto të ndërsjellët ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, deklaroi Kurti gjatë intervistës televizive.