Një studim i kryer në vitin 2022 nga ekspertët gjermanë të GIZ-it – agjencia gjermane për zhvillim – mbi mundësinë e aplikimit të transportit publik falas në Tiranë, ka nxjerrë në pah disa arsye të qenësishme pse kjo zgjidhje nuk është e duhura dhe është e pamundur të realizohet në kryeqytetin shqiptar.

 

Studimi në fjalë, i hartuar nga ekspertët e GIZ-it dhe SUTI (Sustainable Urban Transport in Tirana), me mbështetjen e qeverisë gjermane, thekson se skema e transportit publik falas nuk ka gjasa të jetë zgjidhje optimale për realizimin e një transporti të qëndrueshëm në Tiranë.

 

Sipas tij, kostoja që duhet për të realizuar transport publik falas, duke përfshirë edhe përmirësimet e nevojshme, varion nga 91.5 milion euro deri në 114.1 mln euro. Një shifër e cila është e papërballueshme sot nga financat e Bashkisë së Tiranës.

 

Ekspertët gjermanë vënë në dukje se edhe ato pak vende, të cilat e kanë falas transportin publik, si Lukemburgu apo qyteti Dunkirk, shërbimi ka qenë i subvencionuar më herët në 90% të kostos së tij; që do të thotë se ato kanë financuar vetëm 10% të kostos për ta bërë falas.

 

Ata theksojnë se transporti publik falas nuk do të kishte ndonjë ndikim të madh në mobilitetin në qytet, duke sjellë në vëmendje rastin e Tallinit, ku pasi transporti u bë falas, vetëm 3% e qytetarëve lanë makinat e tyre private.

 

Studimi sugjeron që, në fakt, transporti publik në Tiranë ka nevojë për përmirësim të cilësisë së shërbimit, duke shtuar kapacitetet, rinovimin e flotës, shtimin e rrjetit dhe përmirësim të shërbimit ndaj klientit. Gjithashtu, ekspertë gjermanë shprehen: “Skema e transportit publik falas nuk duhet të financohet nga fonde që vijnë nga projekte të tjera”./ATSH