Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla u shpreh sot se angazhimi i PS-së është që të ketë një fushatë zgjedhore me etikë dhe të qetë, ndërsa i bëri thirrje forcave politike të kundërshtojnë çdo lloj forme të manipulimit të votave.

 

Në një intervistë televizive, Balla theksoi se 14 maji duhet të jetë një festë e demokracisë.

 

“Në ndryshim nga zgjedhjet e vitit 2021, opozita sot është e përfshirë në zgjedhje me gjithë copat e veta dhe ky është një fakt që duhet përshëndetur. Thirrja ime për të gjithë aktorët politikë është që të angazhohen për një fushatë të qetë e normale dhe për të kundërshtuar çdo lloj forme të manipulimit të votave apo korrupsionit zgjedhor”, tha Balla.

 

Ai rikujtoi se në këtë drejtim ligji do të jetë shumë i ashpër për këdo.

 

Balla iu përgjigj edhe akuzave të kryetarit në detyrë të PD-së, Enkelejd Alibeaj, sipas së cilit “nuk nxori dot kandidatë sepse Rama zvarriti gjyqin”.

 

“Këta të paktën në një gjë janë bashkë, edhe Saliu edhe Enkelejdi, edhe kur bie shi shumë thonë e ka fajin Rama, edhe kur nuk bie e ka fajin Rama. Kanë pasur gjë ndonjë çështje me PS-në, apo e kanë me njëri-tjetrin? Në gjykatë e kanë çuar këta njëri-tjetrin, apo ne? Nuk e di ku hyn Rama në këtë çështje, por jemi mësuar me këtë lloj retorike, që për çdo gjë edhe kur nuk merren vesh me njëri tjetrin edhe kur duan të bëjnë divorc me njëri-tjetrin apo të pajtohen fajin e paskemi ne”, tha Balla.

 

“Pse ky nuk gjeti dot kandidat për të vënë në gjithë Shqipërinë e paskemi fajin ne? Këtë le ta gjykoj publiku se na gjykon sipas veprës e sipas punës. Tani kjo është çështje që për mua nuk ka asnjë lloj rëndësie sepse e vërteta është që i rroftë vula, kur nuk ka dot kandidat në gjithë Shqipërinë”, shtoi ai./ATSH