Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka nënshkruar një ditë më parë me ministren e Drejtësisë në Republikën Federale të Austrisë Alma Zadić, deklaratën e bashkëpunimit në fushën e drejtësisë.
Manja e ka cilësuar takimin me homologen e tij të Austrisë si të frytshëm për drejtësinë.
“Si mike e vjetër dhe e çmuar e Shqipërisë, i jemi thellësisht mirënjohës Republikës Federale të Austrisë për mbështetjen pa kushte për forcimin e shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit, si garanci për respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut”, shprehet ministri në një postim në rrjetet sociale.
Ministrja e Drejtësisë në Republikën Federale të Austrisë, Alma Zadić zhvilloi një vizitë zyrtare në Tiranë si pjesë e delegacionit të kryesuar nga Presidenti Federal i Republikës së Austrisë, Alexander Van der Bellen.
Ndërsa Agjencia Austriake e Zhvillimit (ADA) zhvillon edhe një tryezë diskutimi në Ministrinë e Drejtësisë me institucionet që kanë përfituar projekte në fushën e drejtësisë me prezencë të Presidentit Alexander Van der Bellen si dhe dy ministrave Zadić dhe Manja.Manja thekson se në këtë tryeze u prezantuan të gjitha projektet që mbështeten nga Agjencia Austriake për Zhvillim në fushën e drejtësisë dhe sundimit të ligjit për zbatimin e plotë të reformës në drejtësi.
“Prania e Presidentit Alexander Van der Bellen dhe ministres së Drejtësisë Zadić në Ministrinë e Drejtësisë është tregues i fortë i miqësisë së hershme mes dy vendeve tona dhe i mbështetjes së projekteve në fushën e drejtësisë dhe sundimit të ligjit për t’u dhënë qytetarëve shqiptarë drejtësinë që meritojnë dhe për të shkurtuar rrugën tonë drejt BE”, deklaroi ministri Manja./ATSH