Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi shpjegoi platformën e tij për uljen e kostos së jetesës, në një takim me banorët në Tiranë.

 

Gjatë bashkëbisedimit me banorët e Njësisë Nr. 4, Tiranë, Këlliçi shpjegoi se transporti publik falas do të pasohet jo vetëm me modernizim të shërbimit, por njëkohësisht do të sjellë edhe të mira të tjera, siç është reduktimi i trafikut apo ulja e ndotjes.

 

“Nga ana tjetër, kemi një problem shumë të madh, trafikun. Transporti publik falas ul trafikun në Tiranë, e shfryn. Pse? Sepse njerëzit do t`i lënë makinat, do mundohen të marrin një shërbim modern të transportit publik, që ne do ta modernizojmë”, tha Këlliçi.

 

Për skeptikët e këtij premtimi apo dhe propagandës se transporti publik falas është koncept i majtë, Këlliçi tha se transportit publik falas nuk është i majtë, paguhet nga taksat e qytetarëve.

 

“Koncepti i transportit publik falas nuk është i majtë sepse ju e paguani, paguani taksa në Tiranë. Thjesht nuk do paguani dy herë. Do paguani zero çmimin e biletës. Ju paguani taksa në këtë qytet, kontribuoni në këtë qytet. Problemi është që nuk i merrni shërbime”, tha ai./