Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të vizitojë sot Tiranën së bashku me disa nga ministrat të kabinetit të tij.
Gjatë vizitës së tij në kryeqytetin shqiptar, është parashikuar që Kurti të ketë një takim kokë më kokë me kryeministrin Edi Rama.
Marrëveshja e Ohrit Kosovë- Serbi, e cila mori formë por pa nënshkrime, pas 10 orësh bisedime, do të jetë në qendër të takimit Rama – Kurti.
Nuk dihet saktësisht se çfarë këshillash do të kërkojë Albin Kurti nga Edi Rama, por ai aktualisht ndodhet përballë një detyrimi, atij të zbatimit të shpejtë të marrëveshjes kërkuar me ngulm nga ndërkombëtarët.
Ndërmjetësues të takimit në Ohër, Josep Borrell dhe Mirosllav Lajçak vazhdojnë të dërgojnë mesazhe për diplomatike rreth marrëveshjes, e cila sipas tyre, u hap rrugën dy vendeve, Kosovë e Serbi drejt BE.
Në Ohër, palët u pajtuan për zbatimin propozimit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të pranuar parimisht gjatë një takimi në Bruksel, më 27 shkurt.
Propozimi i BE-së nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i njohin dokumentet e njëra-tjetrës, si: pasaportat, diplomat dhe targat e makinave.
SHBA-ja e ka mbështetur propozimin e BE-së, i cili më herët është njohur edhe si plani franko-gjerman. Një takim zyrtar I Kurtit pritet të zhvillohet në orët e para të ditës edhe në kryesinë e Kuvendit me kryeparlamentaren Lindita Nikolla.