Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, në një konferencë për mediat ka bërë të ditur se rritja ekomonike në vitin 2022 ka rezultuar në nivelin 4,84 %.
Gjatë fjalës së saj Ibrahimaj theksoi se kjo rritje ka tejkaluar parashikimet e ministrisë, ndërsa theksoi se të ardhurat në total janë rritur me 13,8 %.
Ndër të tjera, ministrja tha se ka reduktim të ndjeshëm të borxhit publik që në vitin 2022 ka shënuar 64,6%.
“Rritja ekonomike për vitin 2022, rezultoi në nivelin 4,84%. Kjo rritje ka tejkaluar parashikimet e ministrisë. Ministria e Financave parashikonte një rritje prej 3,7%. Rritja ka qenë e shpërndarë në të gjithë sektorët e ekonomisë. Monitoruam konsumin gjatë gjithë vitit dhe kemi marrë masa mbështetëse me qëllim që të ardhurat e tyre të mos uleshin, që konsumi të mos ndikohej nga rritja e inflacionit. Gjatë vitit 2022, konsumi i popullatës u rrit me 7.13 %. Kemi pasur një ecuri të mirë, të pandikuar nga çmimet, qoftë të konsumit dhe të investimeve. Në shifrat totale, ka pasur ndikim dhe rritja e sektorit të turizmit. Kemi pasur një rritje me më shumë se 1 milionë shtetas të huaj që kanë hyrë në Shqipëri në krahasim me 2019 që është cilësuar viti më i mirë i turizmit në vend. Të ardhurat në total gjatë 2022 janë rritur me 13,8%. Janë ndikuar nga ecuria e të gjithë të ardhurave.
Inflacioni mesatar gjatë vitit ka qenë 6.7 %. Nëse krahasojmë rritjen e të ardhurave, kuptohet se kjo rritje nuk vjen vetëm nga rritja e çmimeve, por edhe aktiviteti ekonomik i ndërmarrjes në sektorë të ndryshëm, nga mirëadministrimi i lidhur me reformën e fiskalizimit.
Norma e zyrtare e papunësisë arriti në 10,8%. Niveli i punësimit ka ardhur në rritje, ku në 3 mujorin e 4 të vitit 2022, ka arritur në nivelin e 66,5 %. Krizat që ekonomia ka kaluar në punësim janë tejkaluar.
Piku i inflacionit për 2022 në muajin Tetor kur norma arriti 8,3 % e që nga ai moment ka ardhur në ngadalësim. Gjatë 2022, kemi shfaqur inflacionin më të ulët, kjo është ndikuar nga politikat që kemi marrë për mosrritjen e çmimit të energjisë elektrike. Kjo ka ndikuar në kosto. Paga mesatare është rritur në 66 mijë Lekë në 3-mujorin e katërt të 2022-shit.
Me të dhënat më të fundit, borxhi publik për 2022, shënoi 64,6%. Pra, kemi reduktim të ndjeshëm të borxhit publik gjatë 2022-shit”-tha Ibrahimaj.