Furrat e bukës që kanë të integruara shërbime të tjera si pastiçeri apo bar-kafe do të diferencohen në tarifat që paguajnë për energjinë.

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, mori pjesë sot në një tryezë diskutimi me përfaqësues të Shoqatës së Bukës, Pastiçerive dhe Brumërave, ku u diskutua për zgjidhjen permanente që do të akomodonte edhe nevojën e shoqatës, por nga ana tjetër nuk do të dëmtohej edhe OSHEE-ja, në lidhje me çmimin e energjisë elektrike.

“Jemi sot për të diskutuar një çështje të rëndësishme me prodhuesit e brumrave dhe bukës, për gjetur zgjidhjen më të mirë. Sot kemi më shumë se 2600 furra buke në të gjithë Shqipërinë. Ne jemi angazhuar të jemi sa më analitikë për qasjen që do t’i japë zgjidhje duke parashtruar tri alternativa për zgjedhjen që do të bëjë secili biznes, në bazë të plotësimit të kritereve të cilat i keni bashkëvendosur me MIE dhe OSHEE”, tha Balluku.

Balluku u shpreh se, “qeveria shqiptare ka hapur një dialog me të gjitha bizneset shqiptare. Unë e kam ndjekur nga afër të gjithë procesin dhe janë marrë parasysh të gjitha kërkesat tuaja dhe efektet që do të krijojë ky menaxhim i ri dhe marrëdhënie midis pronarëve të furrave të bukës dhe OSHEE-së”.

Sipas saj, kjo është një çështje e rëndësishme edhe për sektorin energjetik, edhe për OSHEE-në, sepse furrat e bukës konsumojnë rreth 66 milionë kilovat-orë në vit.

“Ju e dini shumë mirë luftën e madhe që kemi bërë për të shëndoshur këtë sistem qoftë nga ana teknike, Operatorin e Shpërndarjes, qoftë nga ana e një shëndoshjeje financiare e cila ka të bëjë edhe me faturimin edhe me mbledhjen e të ardhurave. Ndaj i gjithë procesi është bërë duke treguar kujdes për të dy palët, edhe për furrat e bukës dhe biznesin, por edhe për OSHEE-në sepse siç ju thashë 66 milionë kilovatorë në vit janë një shifër e rëndësishme, e përkthyer në 500 milionë lekë për kompaninë”, theksoi Balluku.

Enea Karakaçi, administratori i ri i OSHEE Group, gjithashtu u shpreh se ka pasur një diskutim shumë të gjatë me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë me përfaqësues dhe kanë bërë një lloj tipologjie që me Shoqatën e furrave të bukës është gjetur dakordësia.

“Për më shumë se 10 vite ka pasur një çmim fiks të përcaktuar nga Enti Rregullator i Energjisë që ka qenë 7.6 lekë kilovat-orë, por që ndër vite ka pasur disa problematika me furrat e bukës, kjo sepse ka ndryshuar tipologjia e furrave të bukës që nuk shesin vetëm bukë, por tashmë janë zgjeruar deri dhe në bar kafe”, tha ai.

“Sot ne vijmë me një propozim që ka 3 çmime. Ka një çmim që është 7.6 lekë për kilovat-orë që është vetëm për ato subjekte që kanë vetëm furrë buke, asgjë tjetër. Kemi një çmim 9.5 lekë që është për ato ambiente që kanë furra buke, por që kanë dhe aktivitete pak më të integruara, siç mund të jetë shitja e pastiçerisë apo dhe e produkteve të tjera të brumrave. Dhe kemi një çmim tjetër që është 12 lekë që është për ato ambiente që janë më të zgjeruara që kanë të përfshirë bar dhe kafe”, tha ai.

Pas këtij takimi OSHEE do të çojë propozimet në ERRE, teksa ministrja Balluku, kjo çështje ka qenë një debat i hapur që i jep zgjidhje formalizimit të sektorit dhe forcimit të OSHEE-së.

“Me këtë kategorizim zgjidhim problemin, por do të lemë një kanal komunikimi për të parë me kohë nëse kjo është zgjidhja e duhur. Ne jemi për mbrojtjen e sektorit dhe të konsumatorit”, deklaroi Balluku.