Të paktën 35 njerëz humbën jetën nga shembja e një pusi të lashtë me shkallë në një tempull hindu në qytetin Indore, në shtetin indian Madhya Pradesh.

 

Incidenti ndodhi teksa adhuruesit u mblodhën në tempullin në Indore për festivalin hindu Ram Navami.

 

Puset me shkallë janë një formë dalluese e sistemeve të mëdha të ruajtjes së ujit nëntokësor në nënkontinentin Indian.

 

Në videot e shembjes në kompleksin e tempullit mund të shihet kaosi që pasoi, ku njerëzit vraponin drejt daljeve. Një ekskavator rrëzoi murin e tempullit të vjetër për të ndihmuar njerëzit të shpëtojnë.

 

Rreth 140 pjesëtarë të kërkim-shpëtimit, duke përfshirë pjesëtarë të ushtrisë, përdorën litarë dhe shkallë për të nxjerrë trupat nga pusi pasi uji u pompua, ndërsa operacioni ishte i vështirë për shkak të shtegut të ngushtë dhe mbeturinave në pus.

 

Dhjetëra njerëz ranë në ujë kur struktura mbi pus u shemb dhe u mbuluan me rrënoja, tha Komisioneri i Policisë, Makrand Deoskar.

 

Struktura me sa duket është shembur sepse nuk ka mundur të përballonte peshën e numrit të madh të njerëzve, tha zyrtari lokal, Shivraj Singh Chauhan.

 

Është konfirmuar se janë gjetur 35 trupa dhe se operacionet e kërkim-shpëtimit janë duke u zhvilluar.

 

Autoritetet e tempullit ndaluan përdorimin e pusit vite më parë dhe e mbuluan atë me shufra hekuri dhe pllaka.

 

Në janar, autoritetet bashkiake urdhëruan pronarët e tempullit të hiqnin shufrat e hekurit dhe pllakat sepse nuk ishin të sigurta, por ata e shpërfillën paralajmërimin./AA