SPAK është përfshirë në çështjen e hetimit të sulmit me armë zjarri ndaj Top Channel, i cili ndodhi mesnatën e 27 marsit.

 

Kjo gjë është bërë me dije nga vetë kreu i SPAK, Altin Dumani, i cili gjatë takimit informal që ka pasur me gazetarët, ka thënë sot se organi që ai drejton është i gatshëm për çdo çështje që mund të dalë.

 

Sipas tij SPAK ka ofruar mbështetjen e saj ndaj çështjes së Top Channel, që në momentet e para kur është marrë vesh lajmi.

 

“Që në orët e para të mëngjesit, kam kontaktuar në telefon drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit. I kam ofruar mbështetjen e plotë të strukturës së posaçme. Më ka thënë se po kryeheshin veprimet e para hetimore. Kam vendosur të dërgoj në analizën e bërë në drejtorinë e policisë, një prokuror dhe oficer të policisë gjyqësore. Megjithëse është çështje në kompetencë të prokurorisë së Tiranës, edhe ne jemi aty, po bëjmë veprimet tona, dhe nëse do dalë diçka, do kemi veprime”, tha Dumani.