Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, deklaroi sot se do të ngrihet një institucion përgjegjës në varësi të ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për të monitoruar konkurrencën e çmimeve në sektorë të ndryshëm.
Gjatë konferencës për shtyp të mbajtur sot mbi zhvillimet në ekonomi Ibrahimaj theksoi se krijimi i këtij institucioni përgjegjës është një rekomandim edhe i Bashkimit Europian.
“Nuk ka një institucion që ka përgjegjës për monitorimin e çmimeve të tregut. Në vazhdimësi kemi krijuar task forca që kanë pasur detyrë specifike monitorimin e çmimeve të tregut, ndërkohë edhe Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut është angazhuar në mbikëqyrjen e çmimeve të Tregut, ndonëse nuk e ka këtë si detyrë primare. Gjatë 2022, në bashkëpunim edhe me rekomandimet e BE-së, kemi menduar të krijojmë një institucion që do jetë përgjegjës për monitorimin e konkurrencës që lidhet me çmimet në sektorë të ndryshëm. Në 2023 do të punojmë për krijimin e këtij institucioni, apo atashuar këtë fushë një institucioni ekzistues, sepse është shumë e nevojshme”, tha ajo./ATSH