Kosova dhe Serbia javën e ardhshme do të zhvillojnë raundin e ri të dialogut në Bruksel, e para që prej dakordimit për marrëveshjen bazë dhe aneksin e zbatimit të saj muajin e kaluar. Më 4 prill do të takohen shefat e ekipeve negociatore, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq nga pala serbe. Në takim pritet të diskutohet zbatimi i neneve të marrëveshjes bazë si dhe formimi i komisionit të përbashkët mbikëqyrës për implementimin e ujdisë.

 

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, në një përgjigje për KosovaPress, thotë se nenet e marrëveshjes bazë duhet të zbatohen pavarësisht prej njëra-tjetrës, por pa specifikuar asnjërin prej 11 neneve të marrëveshjes.

 

“Dokumenti i Aneksit parasheh formimin e Komisionit të Përbashkët Mbikëqyrës brenda 30 ditësh për të siguruar zbatimin e të gjitha pikave të Marrëveshjes Bazë. Takimi i radhës në nivel kryenegociatorësh pritet të mbahet javën që vjen në Bruksel ku edhe do të diskutohet për zbatimin e neneve të Marrëveshjes Bazë, të cilat duhet të zbatohen pavarësisht prej njëra-tjetrës”, thotë ai.

 

Në anën tjetër, partitë politike në Kosovë, komentojnë pritjet e tyre për takimin e radhës të dialogut, derisa edhe akuzojnë Serbinë për qasje dekonstruktive në dialog.

 

Deputetja Lëvizjes Vetëvendosje, partisë në pushtet, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, thotë për KosovaPress se Qeveria po punon në fillimin e zbatimit të marrëveshjes bazë.

 

Sipas saj, pala kosovare po vazhdon të jetë konstruktive në dialog dhe se nuk do të bëjë problem në implementimin e pikave të përfshira në marrëveshje.

 

Kryeziu-Hyseni: Qeveria po punon në fillimin e zbatimit të planit

 

“Serbia do të vazhdojë të mbajë këtë qëndrim dekonstruktiv, do të vazhdojë të jetë kaq dekonstruktive, ndërsa pala kosovare ka treguar konstruktivitetin e saj. Ka vepruar ashtu siç është dashur të veprojë. Ndërkaq, po punon edhe në fillimin e zbatimit të planit, në pikat të cilat është e rëndësishme të punohet, sigurisht edhe në të gjitha prej tyre. Megjithatë, i kemi edhe një procedurë tjetër kohore kur shtetet do të fillojnë të implementojnë specifikisht çështjet që janë të përfshira në kuadër të marrëveshjes bazë dhe që hyn në kuadër të planit të zbatimit. Republika e Kosovës po e bën punën e vet qysh nga fillimi dhe nuk besoj se do të kemi ndonjë problem në implementimin e pikave të përfshira. Ne kemi treguar se në secilën prej këtyre pikave kemi edhe propozimet tona dhe diskutimet tona që kanë të bëjnë me zbatimin e tyre”, thotë ajo.

 

Ndërkaq, deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, thekson se palët në dialog kanë shumë pak hapësirë për moszbatim të marrëveshjes.

 

Ai thotë se marrëveshja është e monitoruar nga BE-ja dhe ShBA-ja dhe se pasojat politike dhe ekonomike do të jenë shumë të mëdha për palët që nuk e zbatojnë marrëveshjen.

 

Haliti: Ka pak hapësirë për shmangie të marrëveshjes

 

“Kjo marrëveshje është e monitoruar dhe është marrëveshje e cila do të jetë e monitoruar çdo ditë dhe do të thirren në përgjegjësi çdo ditë secila palë që e pengon zbatueshmërinë e kësaj marrëveshje. Tani për zbatimin e kësaj janë të ngarkuar BE-ja të mbështetur nga ShBA-ja. Mendoj se ka pak hapësirë për të manovruar pasi pasojat do të jenë për secilin vend që nuk e zbaton këtë marrëveshje. Pasojat politike, pasojat ekonomike dhe të tjera që do të ndërmarrin ata që e monitorojnë marrëveshjen”, thekson Haliti.

 

Pas marrëveshjes bazë të dakorduar më 27 shkurt në Bruksel, Kosova dhe Serbia u pajtuan edhe më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut për aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshje, megjithëse nuk pati nënshkrim të saj.

 

Në kuadër të aneksit të zbatimit të marrëveshjes, palët pajtohen për të miratuar Deklaratën për Personat e Zhdukur, siç është negociuar në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, si çështje urgjente. Ndërkaq, për të zbatuar Nenin 7, Kosova nis menjëherë negociatat në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për përcaktimin e aranzhimeve dhe garancive specifike, që sigurojnë një nivel të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse të dialogut, siç përcaktohet nga ndërmjetësuesi i BE-së. /E.Zeqiri/ /KosovaPress/