Kryetari i Komisionit të Rithemelimit të PD-së, Sali Berisha në një takim me  qytetarët në Dibër, foli për investimin për ndërtimin e Skavicës.

 

Në fjalën e tij, Berisha e konsideroi investimin për ndërtimin e Sakavicës, si korruptiv dhe një projekt që do të mbysë Dibrën.

 

“Janë vërsulur të mbysin Dibrën. Skavica është varri i Dibrës. A do pranojmë ne të bëhemi mortorë në varrimin e saj? Të largosh 20 mijë banorë, çfarë mbetet në Dibër? E gjitha vepër korrupsioni, e gjitha vepër hajnie. Projekt i Enver Hoxhës. Por diktatori e kishte mbyllur nga të katër anët Shqipërinë dhe bëri digat. Dibrën vendosi ta çoj në Hoxharë. Megjithatë nuk guxoi. Përmbysi fshatra të mrekullueshëm, por ajo që përmbyste më shumë ishte Skavica. U ndal. Një vend i lirë, që ka mundësi me erë dhe diell, të shkojë dhe të përmbysë 32 fshatra, të përmbysë një krahinë, duhet të jesh pa asnjë ndjenjë njerëzore ose nuk duhet të jesh normal nga kapacitetet mendore të marrësh një vendim të tillë”, tha Berisha.

 

“Afera e Skavicës është një aferë korruptive. I kërkoj kompanisë Bechtel sepse është kontratë pa garë dhe këto kontrata pa garë janë korruptive. Tani po shet aksionet, i bëj thirrje qeverisë britanikë të mos lejojë kompanitë britanike të blejnë aksione. Sepse Dibra nuk mund të varroset. Dibra do ecë në shekuj dhe mijëvjeçarë e lirë”, theksoi Berisha.