Telefoni, tableti dhe pajisjet e tjera elektronike po zënë kohën më të madhe të fëmijëve sot. Veçanërisht pas pandemisë, ekspertët po konstatojnë shenja tipike të autizimit edhe tek fëmijët që nuk vuajnë nga çrregullime të spektrit.

 

Përdorimi për orë të tëra i këtyre pajisjeve po i bën fëmijët nervozë, hiperaktivë, të mbyllur në vetvete dhe me veshtirësi në komunikim.

 

“Është e çuditshme dhe e frikshme se si një ekran kaq i vogël pengon kaq shumë në zhvillimin e fëmijës. Shumë prindër i etiketojnë fëmijët hiperaktivë apo të pamenaxhueshëm. Por, është pikërisht mosprocesimi i informacioneve të shumta që kanë marrë nga pajisjet elektronike çka i bën ata hiperaktivë dhe të papërqendruar”, shpjegon për A2 CNN terapistja Adela Kalluzi. 

 

Në ditën botërore të fëmijëve dhe individëve me çrregullime të spektrit autik, ekspertët këtë vit e vënë theksin tek autizimi virtual, i cili krijohet nga përdorimi i gjatë i ekraneve të pajisjeve elektronike. Terapistë dhe psikologë tregojnë se si këto pajisje po ndërhyjnë dhe po dëmtojnë edhe procese të tjera të zhvillimit të fëmijës, si gjumi dhe ushqyerja: “Në momentin që një fëmijë ushqehet para ekranit, ai ngopet, por nuk ushqehet. Ne i përjashtojmë fëmijës porcesin e prekjes dhe shijimit të ushqimit”.

 

Tek fëmijët me çrregullime të spektrit, autizmi virtual nga ekranet e pajisjeve elektronike thellon problematikën e tyre. Psikologët kanë disa mesazhe të rëndësishme për të gjithë prindërit: “Deri në moshën 4-vjeçare duhet të ndalohen totalisht ekranet. Pas kësaj moshe, ekspozimi duhet të jetë nën kontrollin e prindërve. Investimi kryesor i prindërve është të luajnë me fëmijët. Ne nuk duhet të lejojmë që rolin kyç të prindërve ta zëvendësojnë ekranet”. 

 

Në mbarë botën konstatohet rritje e numrit të fëmijëve me çrregullime të spektrit autik. Nëse vite më parë 1 në 80 fëmijë ishte me këtë çrregullim, sot kjo shifër ka zbritur në 1 në 36 lindje. Ende nuk dihen shkaqet e sakta të shfaqjes së autizmit, por mjekët ndërthurin faktorët gjenetikë me ata mjedisorë dhe ndërlikimet gjatë shtatzënisë së nënës. Shqipëria ende nuk ka shifra të sakta të personave me spektër të autizmit, ndërsa shoqatat e ndryshme flasin për rreth 6 mijë persona me këtë anomali të lindur.