Të paktën 26 persona kanë humbur jetën nga tornadot që kanë goditur pjesën jugore dhe të mesme perëndimore të SHBA-së, kurse dhjetëra të tjerë janë lënduar.

 

Shërbimi Kombëtar i Motit (NWS) tha se më shumë se 60 tornado janë raportuar gjatë 24 orëve të fundit në një zonë të gjerë që mbulon tetë shtete, duke përfshirë shtetet Arkansas, Mississippi, Iowa, Tennessee, Illinois dhe Wisconsin.

 

Tornadot morën nëntë jetë në Tennessee, pesë në Arkansas, tre në Indiana dhe katër në Illinois, kurse vdekjet e tjera nga stuhitë janë raportuar në Alabama dhe Mississippi.

 

Guvernatorja e Arkansasit, Sarah Huckabee Sanders, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme mes paralajmërimeve për stuhi të forta të shtunën.

 

Në rajonet e goditura nga tornadot dhe stuhitë, shtëpitë dhe bizneset u dëmtuan rëndë, ndërsa dëme të rënda u shkaktuan edhe në shtyllat elektrike.

 

NWS-ja konfirmoi gjithashtu se tornado që goditi kryeqytetin e shtetit Arkansas, Little Rock, ishte e nivelit të lartë EF3, me erëra maksimale të vlerësuara në 265 kilometra në orë.

 

Ajo ka lëshuar paralajmërime për stuhi për shtetet Tennessee, Kentucky, Alabama, Mississippi, Illinois, Indiana dhe Michigan.

 

Rreth 530.000 familje mbetën pa energji në disa pjesë të SHBA-së, duke përfshirë më shumë se 200.000 në Ohio, sipas “PowerOutage.us”, një faqe interneti që gjurmon ndërprerjet e energjisë.

 

Raundi i fundit i motit të ashpër vjen një javë pasi një seri stuhish vdekjeprurëse shpërtheu në juglindje, me një tornado që vrau të paktën 26 njerëz në Rolling Fork, Mississippi./AA