Në një deklaratë për shtyp të mbajtur ditën e sotme, Sali Berisha ka ngritur një sërë akuzash për SPAK dhe kreun e saj, Altin Dumani.
Gjatë fjalës së tij, ai e cilëson SPAK si një institucion ‘kryekëput seksion’ i Partisë Socialiste.
Ndër të tjera Berisha thekson se vetë kreu i SPAK, Altin Dumani e ka konfirmuar këtë gjë dy ditë më parë, ku ka përmenduar 2 nga çështjet më tronditëse sipas tij, problemin e inceneratorëve dhe çështjen Rama-McGonigal.
“Jam sot para jush për t’ju deklaruar shqiptarëve se SKAP-i është një institucion kryekëput seksion i PS. Një mburojë e padepërtueshme e korrupsionit, vjedhjeve monstruoze të qeveritarëve shqiptarë. Të organizatës kriminale që organizohet nga Edi Rama.
Nuk kam patur asnjë, ua kam deklaruar shqiptarëve këtë në mënyrat më të përsëritura, natyrisht bazuar në fakte, në qendrime të pakundërshtueshme të këtij institucioni.
Por, këtë e konfirmoj në mënyrë përfundimtare. Deklarata e kreut të SKAP-it, Altin Dumani për 2 nga çështjet më tronditëse, më themelore të korrupsionit në Shqipëri, për problemin e Inceneratorëve dhe problemin e Uotërgejtin e shekullit të 21-të, problemin Rama-McGonigal.
Lidhur me problemin e Inceneratorëve, tragji-komedia e kësaj afere është e pakufijshme.”
Ndërkohë ka vazhduar me akuzat e tij ndaj Dumanit, ku përmend inceneratorin e Tiranës si një sipërmarrje që nuk i dihen pronarët.
“Inceneratori i Tiranës, është një kontratë e cila u kushton shqiptarëve 420 milionë euro mbi bazën e firmave që janë vendosur në këtë kontratë. Inceneratori i Tiranës u shpall nga Altin Dumani, komisari politik i SKAP-it, si një sipërmarrje që nuk i dihen pronarët. Ky incenerator gllabëron çdo ditë si lubi qindra e mijëra euro të taksapaguesve shqiptarë nga një grup mafioz, i cili ka në krye Edi Ramën, Engjëll Agaçin, Erion Veliajn, dhe disa emra të tjerë.
Dy fjalë do t’i them z.komisar Dumanit se pretendimi juaj, se nuk dihen pronarët iu akuzon shumë rëndë ju dhe institucionin tuaj.
Së pari, le të marrim për të vërtetë atë që ju thoni, se nuk bllokoni dot fondet se nuk dihen pronarët. A mund t’ju thoni shqiptarëve: çfarë iu pengon ju zotëri, të dërgoni në gjykatë aferën, sepse ju paraqitët si pretekst pretendimin se janë arbitrazhet. Çdo arbitrazh është i detyruar të marrë parasysh vendimin e gjykatës së vendit.
Në afera të tjera është procedurë në këtë mënyrë, por ajo nuk ishte SKAP, ishte Prokuroria e Krimeve të Rënda. Ju nuk e dërgoni dot në gjykatë, sepse jeni në kontrollin dhe në mbështetjen e plotë të asaj bande që vjedh shqiptarët.
Së dyti, kontrata e Inceneratorit të Tiranës është e firmosur në shkeljen më flagrante të kodt civil të Shqipërisë. Nuk ka gjykatë që nuk rrëzon atë kontratë, për sa kohë në Shqipëri dhe kudo në botë, kodi civili është kushtetuta e kontratave. Ju nuk e bëni këtë, sepse ju jeni mburojë e qeveritarëve që kryejnë këtë vepër mafioze, këtë vjedhje të tmerrshme.”