Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë sot në ceremoninë e prezantimit të drejtueses së re të Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni.

 

Në ceremoninë e mbajtur pranë institucionit të SHISH, merrnin pjesë edhe ministri i Brendëshëm Bledi Çuçi, ministri i Drejtësisë Ulsi Manja si dhe ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi.

 

“Sapo mbaruam prezantimin në institucion të drejtores së re të Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, e cila u dekretua dje nga Presidenti i Republikës”, shprehet Rama në një postim në rrjetet sociale.

 

Vlora Hyseni vjen në këtë post pas largimit të Helidon Bendos i cili ishte emëruar në detyrën e drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit në datën 5 nëntor 2018.

 

Ajo u propozua nga kryeministri Rama, i cili ka theksuar se “përgatitja e spikatur, eksperienca e krijuar në vite dhe respekti që Hyseni gëzon në komunitetin ndërkombëtar të inteligjencës, përbëjnë një garanci të plotë për reformimin e mëtejshëm të shërbimit inteligjent shqiptar”.