Presidenti i Republikës Bajram Begaj ka dekretuar emërimin e Vlora Hyseni si drejtuese te Shërbimit Informativ te Shtetit. Emri i Vlora Hysenit u propozua nga kryeministri Edi Rama pak ditë më parë, icili zhvilloi dhe një takim disa minutash me kreun e shtetit.

 

Vlora Hyseni ka qenë e angazhuar në udhëheqjen e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës. Ajo është shkarkuar qershorin e vitit 2021 si zv. drejtuese e AKI nga Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani prej të gjitha funksioneve të AKI-së.

 

Vlora Hyseni e ka udhëhequr AKI-në për katër muaj, dhjetor 2020-prill 2021. Hyseni ka punuar disa vite në Agjencinë Kombëtare të Inteligjencës së Kosovës, ku ka qenë Drejtore e Marrëdhënieve me Jashtë e më pas Zëvendësdrejtore e këtij institucioni nga viti 2019, për t’u shkarkuar më pas në mesin e vitit 2021 nga presidentja Osmani.

 

Në shtator të vitit 2021, Vlora Hyseni u zgjodh të punonte si këshilltare e kryeministrit Edi Rama. Sipas ligjit për SHISH paçka se kryeministri është propozuesi drejtorit të SHISH fjalën e fundit e thotë presidenti me dekretin e emërimit. Shërbimi Informativ shqiptar ka qëndruar pa kreun e tij për afro një vit, pasi drejtori Helidon Bendo, u largua për një trajnim të gjatë në Shtetet e Bashkuara duke dhënë dorëheqjen dhjetorin e kaluar.