Burgu i sigurisë së lartë Idrizov në Shkup të Maqedonisë së Veriut, edhe pse i denoncuar herë pas here si një institucion ku të burgosurit trajtohen në mënyrë çnjerëzore, vijon të ketë të njëjtat kushte në mos edhe më të këqija.

 

Një i burgosur shkruan dhe denoncon për A2 CNN kushtet në të cilat jetojnë më shumë se 70 shqiptarë të Shqipërisë në këtë burg, krahas atyre të Kosovës. Ai denoncon kushtet e këqija në të cilat jetojnë, mungesën e ushqimit, ilaçeve deri te mohimi i të drejtës për të përfituar ulje të dënimit apo deportim në Shqipëri.

 

I riu apelon që Ambasada Shqiptare në Shkup, apo Ministri i Drejtësisë së Maqedonisë, Krenar Lloga të shikojnë këtë çështje dhe të marrin parasysh kërkesat e tyre.

 

“Përshëndetje, jam I.T i dënuar me burg në shtetin e Maqedonisë së Veriut, jam nga Pogradeci. Jemi plot shqiptarë të Shqipërisë që vuajmë dënimet për vepra të ndryshme penale, por jo në dëm të njerëzve. Ne kërkojmë që të dëgjohet zëri jonë, pasi kemi vite që jetojmë këtu me dënime të mëdha dhe kushte shumë çnjerëzore. Në një dhomë e cila është për 4 persona ne flemë deri në 9 apo 10 persona, në një ambient shumë të vogël. Ne flemë në ambient të përbashkët me njerëz që mund të kenë sëmundje apo edhe probleme mendore dhe ne rrezikojmë shumë.

 

Pika e dytë, ushqim nuk ka, jemi të detyruar ta blejmë vetë deri në 300 euro në muaj, kanë apo s’kanë familjet tona janë të detyruar të blejmë që ne të jetojmë. Plus ilaçet i blejmë, pasi institucioni nuk ka asgjë, edhe për telefonata me familjarët jemi të detyruar të blejmë telefona deri në 500 euro që të flasim me familjet tona dhe t’u dëgjojmë zërin.

 

I bëjmë thirrje Shtetit Shqiptar, Ambasadës Shqiptare në Shkup dhe Ministrit të Drejtësisë në RMV Krenar Lloga të hedhin një sy për 1/3-ën  e dënimeve që ne na takon edhe me deportim, pasi vetëm shqiptarët nuk e përfitojnë dhe vuajnë ditë më ditë dënimin. Ulja e dënimeve është ligjore dhe na takon, deri në lirim me kusht për sjellje të mirë etj. Nuk dimë ku të ankohemi për të drejtat që na takojnë sepse psikologë, edukatorë, avokatë që të interesohen për ne nuk ka. Askush nuk interesohet për ne, në këtë shtet që pretendon të hyjë në BE me këto ligje komuniste apo me ligjet e Titos, që na mal trajton edhe psikologjikisht, që nga mënyra se si na dënojnë pa asnjë kontroll. Nuk na kontrollon njeri si jemi psikologjikisht apo me shëndetin, ushqimin dhe çdo e drejtë tjetër që na takon. Na mohohen të gjitha të drejtat dhe nuk na aprovohet asgjë”.

 

Mesazhi nga i burgosuri I.T

Prej 5 muajsh, të burgosurit flenë nëpër korridore pasi nuk ka kapacitete mbajtëse.