Kryetari i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla foli sot në lidhje me gjyqin që po zhvillohet në Hagë ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së.

 

Në një intervistë televizive, Balla tha se “ne besojmë në pafajësinë e UÇK-së dhe besojmë dhe duam që e vërteta të shkojë në fund të këtij procesi. UÇK ka kryer një luftë për liri, siç janë të gjitha luftërat për liri. Nga prezantimi i aktakuzës besoj se nuk do ketë një vendim tjetër në përfundim të këtij procesi përveçse pafajësia e udhëheqësve të UÇK. Është e padrejtë që në të njëjtat institucione të mbahen udhëheqësit e UÇK dhe ata që kryen masakra dhe që kryen gjenocid në Ballkan. Dhe këtu i referohem ish-Jugosllavisë, por e tillë është historia dhe në fund të fundit në këtë moment duhet të kemi solidaritet dhe besim se në rastin në fjalë duhet të ketë drejtësi”.

 

Sipas tij, çdo vendimmarrje të kryhet në bazë provash ndërsa theksoi se nuk ka sot asnjë provë reale se udhëheqësit e UÇK-së kanë kryer krime lufte.

 

“Udhëheqësit e UÇK-së kanë bashkëpunuar ngushtësisht me forcat e NATO-s të cilët ishin mbështetëse të kësaj lufte çlirimtarë. Sot duket e pakuptim që pas 23 vitesh nga lufta në Kosovë të jemi pra në një situatë me këto akuza që erdhën si pasojë e një raporti të cilët të gjithë e dinë që u hartua nga Dick Marti në kuadër të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe po ashtu çdo shqiptarë e din se asnjë prej atyre pretendimeve nuk rezultoi të mos kishte asnjë vërtete. Nga ai raport në aktakuzën e prezantuar dje nuk ka asgjë. E vërteta është që mjaftuan disa verifikime në Shqipëri për të hedhur të gjitha ato pretendime”, tha ai.

 

Balla tha se, “ajo kohë ka një të vërtetë: Kasapi i Serbisë pasi kreu krime lufte dhe gjenocid në Bosnje Hercegovinë, filloi të zbatonte të njëjtin plan të spastrimit etnik në Kosovë dhe shqiptarët u ngritën për të mbrojtur popullin e tyre të paarmatosur dhe në mbështetje të tyre edhe SHBA dhe NATO dhe përmes bombardimeve dhe presionit ushtarak ndaj makinerisë ushtarake serbe, u çlirua Kosova”.

 

“Ne shqiptarët kemi shprehur dakordësinë që në momentin e parë që të gjitha ato pretendime të hetohen dhe ajo që bëjmë gjithnjë thirrje është që në rastin e udhëheqësve të UÇK-së duhet të ketë drejtësi dhe jo ndëshkime politike”, theksoi Balla.