Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, është deklaruar i pafajshëm për 34 akuza në sallën e gjyqit në Manhattan, pasi u dorëzua tek autoritetet.
Në një foto të publikuar në mediat amerikane, Trump u pa i ulur përkrah avokatëve të tij në pritje për të dëgjuar akuzat në sallën e gjyqit.
Javën e kaluar, një juri në Manhattan paditi ish-presidentin Trump me akuza lidhur me pagesën që supozohet se ia ka bërë yllit të filmave për të rritur, Stormy Daniels.
Trump mbërriti në gjykata dhe shoqërohej nga Shërbimi Sekret, por nuk ishte prangosur.
Para mbërritjes në gjykatë, Trump në rrjetet sociale tha se “duket kaq surreale” dhe shtoi “wow, ata do të më arrestojnë”.
Ish-presidenti amerikan përballet me akuza në lidhje me falsifikimin e të dhënave të biznesit dhe komplot për rolin e tij të dyshuar në disa pagesa.
Mbështetësit e Trump-it u mblodhën para gjykatës në Manhattan në mes të forcave të shtuara të sigurisë.
Trump do të kthehet më vonë në Florida, pas paraqitjes së tij në gjykatë.
Trump e quajti aktakuzën “gjueti shtrigash” dhe “persekutim politik”.
Kjo aktakuzë shënon herën e parë në historinë e SHBA-së që një president aktual apo ish-president përballet me akuza penale./AA