Sipas një raporti të ri të publikuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), pothuajse një në gjashtë të rritur në mbarë botën përballet me sterilitet.

 

Përafërsisht 17,5 për qind e popullsisë së rritur përjeton sterilitet, gjë që tregon nevojën urgjente për të rritur qasjen në kujdes të përballueshëm dhe me cilësi të lartë, thuhet në raport.

 

"Raporti zbulon një të vërtetë të rëndësishme: Steriliteti nuk diskriminon. Përqindja e madhe e njerëzve të prekur tregon nevojën për zgjerimin e qasjes së kujdesit të sterilitetit dhe sigurimin që kjo çështje të mos anashkalohet më në hulumtimet dhe politikat shëndetësore, ashtu që t'u mundësohet një mënyrë e sigurt, efektive dhe përballueshme për ata që kërkojnë të bëhen prindër”, tha Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Ghebreyesus.

 

Raporti tregon norma të krahasueshme për vendet me të ardhura të larta, të mesme dhe të ulëta, duke treguar se kjo është një sfidë e madhe shëndetësore në nivel global.

 

Prevalenca gjatë gjithë jetës ishte 17,8 për qind në vendet me të ardhura të larta dhe 16.5 për qind në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

 

Steriliteti është një sëmundje e sistemit riprodhues të mashkullit ose femrës, e përcaktuar nga pamundësia për të arritur shtatzëninë pas 12 ose më shumë muajsh të marrëdhënieve të rregullta seksuale të pambrojtura.

 

Sipas OBSH-së, kjo mund të shkaktojë shqetësim të konsiderueshëm, stigmë dhe vështirësi financiare, duke ndikuar në mirëqenien mendore dhe psiko-sociale të njerëzve.

 

Megjithëse raporti i ri tregon prova bindëse të një prevalence të lartë globale të sterilitetit, ai nxjerr në pah mungesën e vazhdueshme të të dhënave në shumë vende dhe në disa rajone./AA