Kanosën më armë zjarri një 40-vjeçar, falë reagimit të menjëhershëm dhe koordinimit të shërbimeve të Policisë, Gramsh dhe Korçë, kapen dhe vihen në pranga 2 shtetas.
Në pranga edhe 40-vjeçari që u kanos, pasi dha deklarata të rreme përpara oficerit të Policisë.
Pas marrjes së njoftimit se në fshatin Bulçar, Gramsh, 2 shtetas kishin kanosur me armë zjarri, një shtetas tjetër dhe se situata mund të përshkallëzohej në ngjarje kriminale, shërbimet e Policisë kanë organizuar punën në kuadër të operacionit “Bulçar”, për parandalimin e përshkallëzimit të situatës, si dhe për kapjen dhe vënien në pranga të autorëve të këtij rasti.
Falë reagimit në kohë dhe koordinimit të shërbimeve të Policisë, Gramsh dhe Korçë, të përfshira në këtë operacion, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit V. K., 40 vjeç, banues në fshatin Bulçar, Gramsh dhe S. H., 34 vjeç, banues në fshatin Kodovjat, Gramsh.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se shtetasit V. K. dhe S. H., në bashkëpunim me njëri-tjterin, kanë kanosur me armë zjarri pistoletë, në aksin rrugor “Gramsh – Moglicë”, shtetasin R. Sh.
Gjithashtu, në kuadër të operacionit “Bulçar”, u vu në pranga dhe shtetasi R. Sh., 40 vjeç, banues në fshatin Bulçar, Gramsh, pasi gjatë marrjes në pyetje në lidhje me këtë rast, ka dhënë deklarata të rreme përpara oficerit të Policisë.
Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Gramsh dhe ato të DVP Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, vijojnë hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti, si dhe të përgjegjësisë penale të secilit prej shtetasve të përfshirë në të.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kanosja”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të kryera në bashkëpunim, si dhe “Deklaratat e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”.