Zv/kryeministrja Belinda Balluku, në një komunikim për mediat pas mbledhjes së qeverisë, ka folur për çështjen e “Becchetti”.

 

Balluku u shpreh se qeveria nuk do të lejojë që Shqipëria të merret peng “nga një kriminel i këtij niveli”.

 

Ajo thekson se qeveria nuk po e bën luftën vetëm për vendin tonë por edhe për të ndihmuar vendet e tjera dhe disa kompani që kanë prej vitesh “që dhunohen dhe përdhunohen nga i njëjti kriminel”.

 

Pyetje: Arbitrazhi i ka dhënë fund procesit gjyqësor për biznesmenin italian Francesko Becchetti duke detyruar Shqipërinë ta dëmshpërblejë atë në një faturë prej 110 milionë Eurosh. Ku do t’i gjejë qeveria shqiptare paratë për ta paguar dhe a do të ndikojë në rritjen e pagave dhe pensioneve? A do të keni mundësi për ta bërë këtë?

 

Belinda Balluku: Rritjen e pagave dhe pensioneve nuk e ndikon dot asgjë sepse është një vendim i marrë tani nga qeveria shqiptare. Kur Kryeministri Rama flet, ne nuk dalim kurrë për propagandë. Dalim gjithmonë me programe të studiuara dhe të miratuara dhe pastaj i bëjmë publike. Nuk jemi ajo forcë politike që dalim themi dhe pastaj del një vendim gjyqi dhe na e ndryshon. Më vjen shumë keq që ndjej nota kënaqësie për vendimin e CSID-it, por duhet të them që nëse i referoheni vendimeve të Gjykatës Supreme të Mbretërisë së Bashkuar, shtetet për shkak të sovranitetit kanë të drejtë të mos marrin parasysh vendimet e CSID-it. Kështu që ky është pozicioni jonë. Unë ju them që do ishte mirë t’i referoheni një tëeet-i që sapo ka bërë kryeministri pasi qeveria shqiptare do të luftojë për sovranitetin e këtij vendi, ashtu siç i takon dhe do të mbrojë Republikën e Shqipërisë nga çdo lloj krimineli i dënuar 10 apo 17 vite, i cili ka kryer krime i faktuar nga gjykatat e të gjitha niveleve dhe nuk ka shans që qeveria shqiptare të lejojë që Shqipëria të merret peng nga një kriminel i këtij niveli dhe me thënë të drejtën ne luftën nuk po e bëjmë vetëm për vendin tonë, por kur Shqipëria të fitojë këtë luftë me rastin në fjalë do të kemi ndihmuar edhe disa vende të tjera, dhe disa kompani të tjera që kanë prej vitesh që dhunohen dhe përdhunohen nga i njëjti kriminel. Kështu që është një luftë për të drejtën dhe ne do ta bëjmë me shumë kënaqësi dhe shpresoj që këtë ta ndjeni ju të gjithë si shqiptarë dhe të mos keni këtë, e humbët.