Këshilli i Investimeve një hallkë që qëndron mes qeverisë dhe biznesit që nga viti 2015 që u krijua e deri më sot ka bërë qindra rekomandime për përmirësime në legjislacion apo procedura por jo të gjithë rekomandimet kanë gjetur zbatim.
Raporti i monitorimit i vitit 2022 bën një bilanc të rekomandimeve që janë marrë parasysh dhe janë hedhur hapa konkretë për të bërë përmirësime si dhe atyre që janë neglizhuar.
Në total Këshilli gjatë këtyre viteve ka dhënë 295 rekomandime nga të cilat 36 prej tyre vetëm në vitin 2022. Në listën e institucioneve që duket se janë më pasivë në reflektimin e rekomandimeve janë të paktën dy që bien në sy.
“Janë aktualisht 117 rekomandime të paplotësuara. Ndër institucionet që zënë peshën më të madhe në zbatim të rekomandimeve të papërmbushura dhe ndër më pasivet në kthim përgjigjesh janë: 1)Ministria e Turizmit dhe Mjedisit – 14 rekomandime (ii) Agjencia Shtetërore e Kadastrës – 16 rekomandime” thuhet në raport.
Të para sipas temës “potenciali i investimeve dhe sektorët prioriitarë” mban numrin më të lartë të rekomandimeve të papërmbushura pasuruar nga siguria juridike e pronës e më pas promovimi i investimeve në agropërpunim.
Raporti i Monitorimit të Këshillit të Investimeve vëren se në aspektin sektorial, 58% e totalit të rekomandimeve trajtojnë çështje të lidhura me të gjithë sektorët e biznesit. Ndërsa rekomandimet e tjera të adresuara për sektorë specifikë, tregojnë se peshën më të madhe rreth 22% të rekomandimeve totale, e zënë propozimet për ndërhyrje në sektorët e trajtuar disa herë në KI: Turizmi (8%), Bujqësia, përfshirë edhe Agro-përpunimin (14%).
“Fokusi kryesor i këtyre rekomandimeve sikurse theksuar edhe në vitet e mëparshme, lidhet me: (i) Rritjen e nivelit të formalizimit të sektorëve; (ii) Incentiva për forcimin e sektorëve; (iii) Ndërhyrje ligjore që do lehtësonin bizneset e këtyre sektorëve; (iv) Ndërmarrjen e incentivave me qëllim rritjen e vlerës së shtuar të investimeve në sektorin e Agro-përpunimit.
Një peshë prej 6% zënë rekomandimet e dhëna në drejtim të përmirësimeve të funksionalitetit të platformës elektronike e-Lejet. Gjithashtu sektori i BPO, i cili gjatë dy viteve të fundit ka pësuar shumë ndryshime në drejtim të formalizimit dhe strukturimit të tij, përbën 6% të rekomandimeve totale” vlerëson raporti.
Specifikisht për vitin 2022 gjatë tre mbledhjeve që u mbajtën Sekretariati i KI përgatiti dhe prezantoi 21 rekomandime të reja. Rekomandimet e propozuara përqendroheshin kryesisht në: (i) ndërhyrjet e nevojshme për përmirësimin e konsultimit publik si një mjet efektiv për vendimmarrjen dhe dialogun biznes – institucione publike, (ii) masa konkrete që duhen ndërmarrë mbi problematikën emergjente të mungesës së fuqisë punëtore dhe kualifikimit të saj./Monitor