Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë i bashkohet sot elita kombëtare e sportit shqiptar.

 

Në ceremoninë e gradimit ushtarak të kampionëve olimpikë, botërorë e europianë, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi njoftoi se janë 7 sportistë elitarë që gradohen kolonel i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

 

Në ceremoninë e posaçme të gradimit, parakaluan në tapetin e kuq: Luiza Gega e cila fitoi vendin e parë në kampionatin e Atletikës në Mynih, Gjermani gusht 2022, Briken Calja i cili mori vendin e parë në Kampionatin Botëror të Peshëngritjes në Uzbekistan dhjetor 2021,

Erkand Qerimaj i cili mori vendin e  parë në Kampionatin Evropian të Peshëngritjes në Tiranë maj 2022, Alban Beqiri i cili zuri vendin e parë në Kampionatin Ballkanik të Boksit në Beograd, nëntor 2022.

 

Po ashtu, trajnerja e xhudos Majlinda Kelmendi dhe xhudistet Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova edhe zyrtarisht tashmë me gradën kolonel janë pjesë e Ushtrisë Shqiptare.

 

Peleshi vuri në dukje se ky konkretizim nisi si një angazhimi i Kryeministrit vitin e kaluar, duke u kthyer në ligj.

 

“Sot ky ligj po zbatohet duke dhënë gradën e lartë Kolonel për 7 sportistët tanë elitarë. Është dhe një plejadë e sportistëve të tjerë që në bazë të këtij ligji fitojnë gradat major, nënkolonel”, shtoi Peleshi.

 

Peleshi u shpreh se, “ka një të përbashkët ndërmjet sportistëve elitarë, misionit të tyre dhe misionit të ushtarakëve të Forcave të Armatosura. Kjo pikë e përbashkët është flamuri i Shqipërisë dhe dashuria për vendin. Kjo na bashkon sot këtu dhe i jep legjitimitet dhe mbështetje morale të jashtëzakonshme këtij gjesti të qeverisë shqiptare dhe Kuvendit, pra dhënies së gradave të larta të sportistëve elitarë që me flamurin e Shqipërisë kanë arritur rezultatet më të larta kudo në botë”.