Në një ceremoni të zhvilluar këtë të enjte, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, 7 sportistë shqiptarë; Luiza Gega, Briken Calja, Erkand Qerimaj, Alban Beqiri, Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi, Nora Gjakova, të shpallur kampionë olimpikë, botërorë dhe europianë u nderuan me gradën e lartë ushtarake “Kolonel”, duke u bërë pjesë e Forcave të Armatosura Shqiptare.

 

Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama e vlerësoi këtë ditë si historike, për sportin shqiptar dhe për Forcat e Armatosura shqiptare njëkohësisht.

 

“Sot është një ditë realisht historike për sportin shqiptar dhe për Forcat e Armatosura shqiptare njëkohësisht sepse sot pjesë e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë bëhen një grup sportistësh dhe sportistesh që flamurin kombëtar e kanë ngritur në majën më të lartë në skenën e sportit botëror apo europian”, u shpreh ai.

 

Më tej ai vlerësoi rolin e sportistëve ndërsa theksoi se shteti shqiptar synon t’i bëjë krenarë sportistët elitarë.

 

“Ja ku janë sot, që nga Majlinda, tek Distria tek Nora që me siguri shumë shpejt do pasohen nga të tjera vajza dhe nga shpresoj të tjerë djem, se i kemi marrë këto vajza që të na i zhdërvjelltësojnë dhe djemtë.

 

Faleminderit shumë të gjithëve dhe respekt për Luiza Gegën, e cila është shembulli i jashtëzakonshëm i shpejtësisë që nuk njeh pengesa dhe kur Luiza Gega u bë Luiza Gega, s’kishte shtet pas shpinës që ta shtynte të vraponte më shpejtë. Sot Luiza Gega është shëmbëlltyra e shtetit! E një shteti që do të ecë shumë më shpejtë përpara dhe që synon t’i bëjë krenar të gjitha Luizat e vogla që sot ne nuk i njohim ende, për ta ardhur dhe për të ndjekur Luizën, ashtu sikundër Brikenin, Erkandin apo Albanin. Zoti i bekoftë Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe i gjithë kombi shqiptar qoftë gjithmonë e më shumë krenar për to”-tha Rama.