Në një deklaratë për media të mbajtur pas mbledhjes së qeverisë, kryeministri Rama ka folur për çështjen ‘Becchetti’. Kreu i qeverisë e cilësoi vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit si skandaloz, ndërsa shtoi se Shqipëria po shikon mundësinë për të dalë nga juridiksioni i kësaj gjykate.

 

I pyetur nga gazetarët për ngrirjen e llogarive të Albcontrol, Rama nuk ka dashur të japë informacion duke thënë se detyra e tij është të ruaj konfidencialitetin e kësaj çështjeje.

 

‘Më dolët në këtë temë për ata që mendojnë se e mira e tyre është keqja e Shqipërisë në vend që të revoltohen se një kriminel i dënuar me 17 vite burg për mashtrim të shtetit shqiptar arrijnë të çajë rrugën në një gjykatë me të cilën ne do të hapin probleme të mëdha, duke filluar nga java e ardhshme. Nga e cila madje po analizojmë mundësinë e daljes fare nga juridiksioni sepse është skandaloze ajo që ka ndodhur. I kanë thënë publikut që Shqipëria i ka paguar ato para, ju tani po bëni pyetjet janë bllokuar apo nuk janë bllokuar llogaritë, porsa i përket luftës me të ne do ta bëjmë deri në fund.Unë i jap përgjigjet ashtu sic i mendoj. Ky është një aspekt i procesit që është i lidhur me konfidencialitetin e procesit. Detyra ime është të ruaj konfidencialitetin e çështjes”, tha Rama.