Lulzim Basha ka uruar ditën e Çlirimit të Kosovës. Me anë të një postimi në Facebook, Basha shkruan se 12 Qershori 1999 shënon fundin e luftës së drejtë kundër gjenocidit dhe spastrimit etnik në Kosovë dhe fillimin e realizimit të një ëndrre shekullore lirie.
Sipas tij, Çlirimi i Kosovës është përmbushja e një amaneti të trashëguar brez pas brezi, të mbrojtur me pushkë e me penë, nga patriotë që nuk u dorëzuan kurrë përballë padrejtësive historike dhe krimeve mizore.
Basha më tej shpreh mirënjohje për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britaninë e Madhe, vendeve mike të Europës, NATO-n dhe gjithë atyre që i dhanë fund padrejtësive dhe mizorive mbi popullin e Kosovës.
“12 Qershori 1999 shënon fundin e luftës së drejtë kundër genocidit dhe spastrimit etnik në Kosovë dhe fillimin e realizimit të një ëndrre shekullore lirie. Çlirimi i Kosovës është përmbushja e një amaneti të trashëguar brez pas brezi, të mbrojtur me pushkë e me penë, nga patriotë që nuk u dorëzuan kurrë përballë padrejtësive historike dhe krimeve mizore. Çerek shekulli pas hyrjes së ushtarëve të parë të NATO-s në tokën e Kosovës, që është edhe toka e gjyshërve të mi, ndihem fatlum të kem qenë dëshmitar i asaj ngjarje historike, që do të më shoqërojë përgjatë gjithë jetës sime,” shkruan Basha.
“Në këtë ditë krenarie kombëtare, mirënjohja e thellë e çdo shqiptari shkon për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britaninë e Madhe, vendeve mike të Europës, NATO-n dhe gjithë atyre që i dhanë fund padrejtësive dhe mizorive mbi popullin e Kosovës. Kjo ditë nuk do të ishte e mundur pa vizionin e arkitektit të pavarësisë së Kosovës, Presidentin Ibrahim Rugova, pa heroizmin e Komandantit Legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jasharit, bijave dhe bijëve të Kosovës dhe kombit mbarë, që kryen sakrificat më sublime për liri”, thekson kreu i PD.
“25 vite nga ai 12 Qershor, çdo shqiptar dhe kontributor i kësaj ëndrre lirie, duhet të jetë krenar për përparimin e Kosovës, konsolidimin e institucioneve të saj, demokracinë e gjallë dhe konkurruese, teska vendi ecën i vendosur në rrugën e saj euro-atlantike. Lavdi përjetë dëshmorëve për lirinë e Kosovës!”, mbyll postimin Basha./ata