Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se rritja e pagave në sektorin publik është shtysë për rritjen e pagave në sektorin privat.

 

Në një prononcim për mediet pas mbledhjes së qeverisë ku u miratua reforma e rritjes së pagave, Rama u shpreh se rritja e pagave në sektorin publik është një proces i ndërthurur me sektorin privat.

 

“Rritja e pagave rrit edhe aftësinë e sektorit publik për të thithur burime njerëzore më të kualifikuara dhe nga kjo sektori privat do të jetë i detyruar të rrisë pagat, gjë që po ndodh sot. Sot pagat në sektorin privat po rriten me shpejtësi. Ne po vazhdojmë të nxisim duke shtyrë nga poshtë sepse i vetmi element që ne kemi në dorë është paga minimale të cilën e rritëm jashtë parashikimit elektoral jo vetëm tonit por të të gjitha partive politike. Madje edhe të atyre partive që e dinë se nuk do të vijnë kurrë në pushtet dhe premtojnë gjëra për të cilat nuk do të japin kurrë llogari”, tha Rama.

 

Kryeministri u shpreh se faktikisht “sot jemi në një situatë kur kemi filluar edhe një proces komunikimi me sipërmarrjen private për të sensibilizuar sipërmarrësit lidhur me domosdoshmërinë e mbrojtjes së kapitalit njerëzor”.

 

“Jemi në kushtet kur është bërë kjo botë gjithmonë e më e egër për të marrë krah pune të kualifikuar ose jo dhe në këtë luftë të egër janë përfshirë të gjitha vendet e zhvilluara. Ne jemi optimistë dhe shikojmë shenja shumë pozitive nga sipërmarrja private. Natyrisht ne do të marrim masa të tjera, jemi duke i konceptuar dhe natyrisht që për ne kjo nuk është thjesht çështje rritje pagash por edhe mbrojtje e punonjësve dhe punëtorëve në kompani të ndryshme nga shfrytëzimi”, tha ai.

 

Kryeministri theksoi se “sot jemi mbi 6 mijë euro të ardhura për frymë pavarësisht se të gjitha bien, rrënohen dhe na i marrin nëpër arbitrazhe, por faktikisht ne sot kemi dyfishuar të ardhurat për frymë”.

 

“Dyfishimi i të ardhurave për frymë është rezultat i gjithë politikave e reformave por është edhe një mundësi për të kuptuar se nuk vazhdohet më. Një vajzë e re që përpara 25 apo 30 vitesh shkonte dhe punësohej në një fason, sot është në fazën që do të dali në pension. Me kë do të zëvendësohet? Një vajzë e re që është sot në moshën që kjo grua ishte atëherë nuk shkon të punojë aty për atë pagë apo atë lloj pune. Këtu sipërmarrja duhet të vihet në alarm dhe të kuptojë se duhet të ndryshojë qasje, të rrisë produktivitetin, të rrisë eficenën etj. Të gjitha këto janë sfida të një kohe të re se Shqipëria ka hyrë në një fazë të re, është në një kohë të re ekonomie dhe sociale dhe sot unë jam shumë i kënaqur që ja kemi dalë t’i çojmë pagat për shqiptarët në një nivel në mesataren e lartë të rajonit tonë. Sigurisht që nuk jemi të vetëkënaqur por thjesht të kënaqur”, tha ai.