Kryeministri Edi Rama në fjalën e mbajtur dje në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste theksoi përgjegjësinë dhe vendosmërinë e pakompromis për ta çuar vetëm përpara Shqipërinë.

 

“Ju lutem, ma dëgjoni shumë mirë këtë, ju dhe gjithë socialistët, që fatmirësisht janë shumë pak që e qarkullojnë atë fjalën e neveritshme “Rama të lëshon, Rama nuk të mbron”. Unë kam një përgjegjësi të madhe, morale sigurisht, më të madhen fare nga të gjithë ju, pa diskutim, por a dini se cila është kjo?”, tha Rama.

 

Kryeministri Rama theksoi se “përgjegjësia ime morale nuk është as të skuqem, as të kërkoj ndjesë apo aq më pak të sprapsem pse dikujt që i besoj një detyrë në frontin e betejave të përbashkëta, e mbështes pa kursim për punën e përbashkët në këtë front, sepse vetëm së bashku mund ta ngjisim Shqipërinë në atë majën ku e meritojnë fëmijët e të gjithë shqiptarëve, i merr mendjen pushteti e paraja dhe tradhton, jo thjeshtë besimin tim e tuajin, por vetë flamurin e gjithë stërgjyshërve dhe të gjitha bebeve të këtij vendi, bashkë me flamurin e të gjithë socialistëve shqiptarë, të cilin pastaj, sipas atij mendimi të mbrapshtë, mësimit të mbrapshtë të historisë të pushtetit politik që qarkullon në atë formën “Rama të lëshon, Rama nuk të mbron”, pasi njëri e ka përdorur flamurin e Partisë Socialiste si maskë për të vjedhur, ne të tjerët u dashka ta përdorim edhe si letër higjienike për t’ia fshirë bajgat e korrupsionit nga fytyra me dorën e partisë? Jo, jo dhe jo!”, tha Rama.