Kosova ka fituar në arbitrazhin ndërkombëtar ndaj kompanisë Devolli në rastin e “Dardafonetit”. Nga ky rast shteti ka shpëtuar 45 milionë euro. Deri tani Kosova ka fituar edhe rastet “Bedri Selmani”, dhe “IuteCredit”, duke shpëtuar 145 milionë euro.
Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se nëpërmjet Avokaturës Shtetërore, Kosova ka fituar në arbitrazhin ndërkombëtar ndaj kompanisë Devolli në rastin e “Dardafonetit”.
Kurti ka thënë se kjo është fitorja e tretë e radhës e Kosovës në arbitrazhin e investimeve, ndërsa tha se kompania i kishte kërkuar 45 milionë euro, në pretendimet për shpronësimin e operatorit të rrjetit celular virtual.
“Ministria e Drejtësisë, përmes Avokaturës Shtetërore së bashku me ekipin mbrojtës të Squire Patton Boggs kanë arritur fitoren e radhës për Kosovën në arbitrazhin ndërkombëtar, duke mposhtur pretendimet e Blerim Devollit kundër Republikës së Kosovës”, ka treguar Kurti.
Kryeministri ka treguar se përmes padisë, Devolli kishte kërkuar kompensim prej së paku 45 milionë euro nga Republika e Kosovës.
“Përmes një padie të dorëzuar pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit pranë Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë në mars të vitit 2020, z. Devolli kishte kërkuar kompensim prej së paku 45 milionë euro nga Republika e Kosovës si pasojë e pretendimeve për shpronësimin e Dardafon.net, operatorin e rrjetit celular virtual në Kosovë, pronë kjo e z. Devolli. Pak ditë më parë, Tribunali ndërkombëtar i Arbitrazhit ka lëshuar vendim duke hedhur poshtë në tërësi pretendimet e z. Devolli dhe duke urdhëruar këtë të fundit t’ia paguajë Republikës së Kosovës mbi 1.3 milion euro në emër të shpenzimeve të procedurës”, shkroi Kurti.
Shefi i qeverisë ka treguar se edhe rastet “Bedri Selmani”, dhe “IuteCredit”, kanë rezultuar në fitore të plota, e vlera e përbashkët sipas tij, kap shumën prej 145 milionë euro.
“Lufta” e Kosovës me milionat e Arbitrazhit, si u shpëtuan 470 mln euro – Revista Monitor
Kosova deri tash është ballafaquar në arbitrazhe ndërkombëtare në gjashtë raste, ku ka qenë e përfshirë Avokatura Shtetërore. Deri më tani, tre raste janë fituar, kurse për tre të tjera pritet vendimi në javët në vijim. Nga rastet e fituara janë shpëtuar mbi 470 milionë euro. Në rastet që janë në proces, rreziku është për humbjen e 50 milionë eurove.
Përveç arbitrazheve janë rreth 35 mijë lëndë, që Avokatura Shtetërore ka mbrojtur institucionet brenda vendit. Nga janari i vitit 2019, vlera e fituar nga ky institucion është rreth 22.4 milionë euro, ndërsa vlera e humbur, rreth 7.2 milionë euro./Monitor/