Këshilli i Ministrave i dërgoi sot Parlamentit për ratifikim marrëveshjen e arritur me Italinë për njohjen reciproke të sigurimeve shoqërore.

Shqipëria dhe Italia arritën më 6 shkurt marrëveshjen për njohjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore.

Nënshkrimi i marrëveshjes u bë në Romë nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani si dhe ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani.

Finalizimi i kësaj marrëveshjeje ofron për shumë persona një siguri dhe një perspektivë pozitive për të ardhmen, ndërsa palët kishin rreth 15 vite që negocionin për të arritur këtë firmë, që garanton të drejtat e punonjësve shqiptarë në Itali apo të punonjësve italianë në Shqipëri për pensionet.

Janë rreth 550 mijë shtetas shqiptarë dhe rreth 20 mijë shtetas italianë, nga zbatimi i së cilës do të sigurojnë bashkimin e periudhave kontributive, duke bërë të mundur që asnjë vit pune të mos humbasë.

Objekt i kësaj marrëveshje janë përfitimet nga skema shqiptare e detyrueshme e sigurimeve shoqërore që përfshijnë përfitimet për pension pleqërie, pension invaliditeti dhe pension familjar, sigurimin për përfitimin për sëmundjet dhe barrëlindjen dhe sigurimin e papunësisë.

Shtetet me të cilat Shqipëria ka marrëveshje në fushën e sigurimeve shoqërore janë: Hungaria, Kanadaja, Turqia, Belgjika, Luksemburgu, Maqedonia e Veriut, Republika Çeke, Republika Federale e Gjermanisë, Austria, Kroacia dhe Kosova. Kësaj liste i shtohet edhe Italia, me hyrjen në fuqi të marrëveshjes.

Ndërkohë që janë në proces marrëveshjet në fushën e sigurimeve shoqërore me Holandën, Rumaninë, Greqinë dhe Francën./ata