Ministria e Arsimit dhe Sportit së bashku me Agjencisë e Sigurimit të Cilësisë së Arsimin Parauniversitar (ASCAP) ka përfunduar procesin e hartimit të një paketë treguesish dhe procedurash për të realizuar një politikë të re për renditjen kombëtare të gjimnazeve.

 

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi së bashku me përfaqësues të Këshillit Kombëtar të Arsimit Parauniversitar, përfaqësues nga Parlamenti i Nxënësve, Sindikatat e Arsimit, ekspertë dhe bashkëpunëtorë të Ministrisë së Arsimit, janë mbledhur për të prezantuar paketën e kritereve dhe procedurave të Renditjes Kombëtare të Gjimnazeve.

 

Kushi tha se renditja e gjimnazeve është shumë e rëndësishme, pasi sipas saj kështu do të dallojnë pikat e dobëta dhe të forta, si dhe do të përmirësohen më shumë.

 

“Renditja e gjimnazeve është shumë e rëndësishme dhe u intereson vetë gjimnazet, për të bërë një krahasim me veten e tyre, cilat janë pikat e dobëta, pikat e forta, ku duhet të përmirësojnë më tej punën e tyre. U intereson padyshim vetë nxënësve, prindërve e familjeve. Por mbi të gjitha na intereson dhe ne, politikëbërësve, në mënyrë që bazuar në këto konkluzione, të hartojmë politika të reja apo të përmirësojmë politikat tona ekzistuese,” – u shpreh ministrja.

 

Renditja kombëtare e gjimnazeve erdhi si një prej sugjerimeve të grupit të punës që u ngrit vitin e kaluar për të analizuar thellësisht Maturën Shtetërore.