Deputetja dhe anëtarja e kryesisë së Partisë Demokratike, Merita Bakiu tha sot se “ndonëse rezultatet e fundit të PISA-s treguan një gjendje të përkeqësuar të sistemit tonë arsimor, nga ana e Ministrisë së Arsimit nuk është marrë asnjë masë për këtë gjë”.

Në një deklaratë për shtyp, Bakiu theksoi se “në vend që të kishte një reflektim nga institucionet përkatëse, Ministria e Arsimit i është “përgjigjur” dështimit, duke e thelluar edhe më tej propagandën qeveritare nëpër shkolla, duke i kthyer drejtuesit e shkollave në komisarë politikë dhe në shpërndarës të aktiviteteve politike dhe partiake”.

“Partia Demokratike me programin e saj për arsimin synon ta zhveshë shkollën nga të gjitha vështirësitë dhe pengesat e deritashme burokratike, duke i dhënë mësuesve një vend nderi ashtu siç ata e meritojnë dhe duke vendosur në qendër të misionit të tyre mësimdhënien dhe jo burokracinë e shkresurinave pa fund”, tha Bakiu.

Sipas saj, dinjiteti i tyre do të shpërblehet me rroga më të larta dhe me kushte më të mira pune.

“Gjithashtu duke mos i mbajtur nën presionin e vendit të punës dhe duke i çliruar nga drejtuesit komisarë partiakë, duke ndaluar rreptësisht të merren me veprimtari politike të gjithë ata që duan të drejtojnë institucionet shkollore”, tha Bakiu./ata