Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun e Fierit Taulant Balla prezantoi sot kandidaten e PS për kryetare bashkie në zgjedhjet e 14 majit, Eriselda Sefa.

 

Në fjalën e tij, Balla tha se vetëm në një vit arritën me Eriseldën të sigurojnë punë dhe të fillojnë punë të rëndësishme për bashkinë Lushnjë dhe për qytetin e Lushnjës.

 

“Praktikisht kemi hyrë në fushatën zgjedhore, një fushatë që unë do ju kërkoja sot të jetë e fokusuar tek një punë që do duhet ta bëjmë të gjithë në qytetin e bukur të Lushnjës dhe në gjitha njësitë duke mbjellë pemë. Ne do mbjellim pemë të bukura sot këtu në lulishte dhe do vazhdojmë të mbjellim pemë. Me shpenzimet të kësaj fushate le t’i dhurojmë Lushnjës pemë e lule, sepse mendoj që ajo që ka më shumë rëndësi në fund të këtij procesi është dashuria për këtë qytet të bukur, i cili ka hyrë në një fazë të re transformimi”, u shpreh Balla.

 

“Lushnja si bashki, si pjesë e qarkut të Fierit ka kontributin më të rëndësishëm në prodhimet bujqësore shqiptare të cilat sot me krenari eksportohen në çdo cep të Europës dhe prandaj duhet që puna e Eriseldës në 4 vitet që do të vijnë duhet të jetë e ndarë mes kujdesit për infrastrukturën e përgjithshme të qytetit dhe gjithë njësive dhe të kujdesit për bujqësinë”, u shpreh Balla.

 

“Jam gjithmonë e më shumë i dedikuar për të bërë më shumë punë të mira për Lushnjën sepse mendoj se këtij populli kaq të mirë kaq punëtor i kemi borxh shume vite për punë të humbura që nuk i kishim realizuar në kohën e duhur dhe e vërteta është që ndërsa ne filluam të hiqnim një prej plagëve më të mëdha të këtij qyteti sikurse ishte përroi i Lushnjës nuk kishte qytetar të këtij qyteti që të mos na falenderonte”, vijoi Balla.

 

“Për pak ditë fillojmë edhe një prej arterive më të rëndësishmë të këtij qyteti unaza e Lushnjës e cila ishte tërësisht e lënë në harresë por shumë shpejt do të kthehet në një arterie të rëndësishme të zhvillimit ekonomik dhe social të këtij qyteti. Për ne insfrastruktura shkollore mbetet një prej investimeve më të të rëndësishmë dhe Eriselda do të qartësojë më së miri të gjitha projektet tona për rikonstruksionet e shkollave krijimin e hapësirave sportive, palestrave, të cilat janë ilaci i vetëm dhe i domosdoshëm për largimin e të rinjve nga veset e moshës”, tha Balla.

 

“Ne do të vazhdojmë të investojmë në infrastrukturën sportive duke e bërë klubin e Lushnjës të ketë më shumë kapacitete. Spitali i Lushnjës për mua është objektivi i radhës për ta transformuar atë në një spital, peshën e ka sepse ia jep stafi i mrekullueshëm por ja jep edhe nevoja që ka kjo bashki e madhe e cila është sa një prefekturë”, tha Balla.