SPAK ka dhënë detaje për arrestimin këtë të dielë të një punonjësi policie. Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, njofton se ka kryer hetime për nënkomisarin, Sokol Canameti, 48 vjeç, i cili akuzohet për veprën penale  “Korrupsion pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”.

 

Sipas SPAK nga hetimi ka rezultuar se nënkomisari i ka ushtruar presion të arrestuarit E. K., dhe i ka kërkuar këtij të fundit shumën prej 2000 euro në këmbim të lënies të lirë, duke i thënë se do ta gjente kudo që të ishte nëse nuk e sillte këtë shumë.

 

I arrestuari ka vënë në dijeni të atin, 51-vjeçarin F.K, i cili nëpërmjet njohjeve ka gjetur 235 000 mijë Lekë dhe ia ka dhënë nënkomisarit të policisë. Kjo shumë është dorëzuar rreth orës 17:30-20:00 të datës 10 Tetor 2022.

 

SPAK njofton se po heton për të identifikuar personat e tjerë të përfshirë në këtë veprimtari të jashtëligjshme

 

“Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kryer hetime në kuadër të procedimit penal nr. 181 datë 31.10.2022, procedim i regjistruar mbi bazën e materialit referues të dërguar nga Drejtoria Rajonale e Autoritetit të Mbikqyrjes Policore, Tiranë për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga nenet 259 dhe 248 të Kodit Penal.

Nga ky hetim u grumbulluan prova të mjaftueshme të cilat krijuan dyshimin e arsyeshëm se personi nën hetim S. C., me detyrë oficer i policisë gjyqësore, ka konsumuar elementë të veprës penale të “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal, pasi zyrtari i policisë gjyqësore, i hetuari S. C., duke ushtruar presion ndaj të arrestuarit E. K., i ka kërkuar këtij të fundit shumën prej 2000 euro në këmbim të lënies të lirë, duke i thënë se do ta gjente kudo që të ishte nëse nuk e sillte këtë shumë. I hetuari E.K., ka vënë në dijeni menjëherë të jatin, të hetuarin F. K., i cili nëpërmjet njohjeve të tij, pasi ka siguruar shumën prej 235.000 lekësh, ja kanë dhënë të hetuarit S. C. rreth orës 17.30-20.00 të datës 10.10.2022. Me veprimet e tyre shtetasit E. K. dhe F. K. dyshohet të kenë konsumuar elementë të veprës penale të “Korrupsionit aktiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 319 dhe 25 të Kodit Penal.

Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.30 datë 07.04.2023 ka caktuar masën e sigurimit arrest në burg për shtetasin:

• S. C., i dyshuar për veprën penale “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, parashikuar nga Neni 319/ç të Kodit Penal.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Policore, Drejtoria Rajonale Tiranë, ekzekutoi në datën 09.04.2023 masën e sigurimit të caktuar me vendimin nr.30 datë 07.04.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”-thuhet në njoftim.