Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja deklaroi sot se miratimi i projektligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Shërbimit Përmbarimor Gjyqësor Shtetëror” e bën konkurrues në treg këtë shërbim.

 

Gjatë diskutimit në komisionin e Ligjeve, Manja tha se ky projektligj përmbyll përfundimisht reformimin e sistemit përmbarimor shtetëror por edhe të sistemit përmbarimor në tërësi.

 

Sipas Manjës, reformimi i këtij shërbimi paraqet një rëndësi të madhe sepse lidhet me procesin e rregullt dhe materializimin e të drejtave të fituara në gjykatë.

 

“Pa një shërbim përmbarimor efektiv, çdo reformë që ne kemi ndërmarrë për mirëfunksionimin e sistemit të drejtësisë nuk do të prodhonte rezultatet e duhura për qytetarët, sepse me përmbarimin lidhet rivendosja e të drejtave të fituara në gjykatë nga qytetarët e biznesi”, tha ai.

 

Manja theksoi se përmes këtij pr/ligji, synohet të rritet cilësisht ofrimi i shërbimeve përmbarimore shtetërore për qytetarët shqiptarë.

 

“Përmes këtij projektligji ne do të zgjidhim disa nga problematikat e evidentuara në praktikë në lidhje me statusin e përmbaruesve, trajtimin e tyre dinjitoz për detyrën që kryejnë, organizimin dhe funksionimin e zyrave përmbarimore dhe krijimin e një sistemi të mirëfilltë karriere si përmbarues gjyqësor shtetëror”, shtoi ai.

 

Manja nënvizoi rëndësinë e miratimit të këtij projektligji, pasi sipas tij shërbimi përmbarimor funksionon mbi bazën e një kuadri ligjor të miratuar në vitin 2001, i cili nuk u rishikua me reformën në drejtësi.

 

Ministri theksoi se ky shërbim ka në organikë 78 përmbarues, por ka një numër të ndjeshëm vakancash ku vetëm në vitin 2021, 11 përmbarues kanë preferuar të mos jenë më pjesë e shërbimit.

 

“Shërbimi Përmbarimor Gjyqësor Shtetëror si shërbim publik ka pasur rezultatet e veta modeste. Edhe pse ka pasur një volum të madh pune ky shërbim ka funksionuar. Janë 55213 çështje në proces ekzekutimi dhe nga ky stok 9699 çështje kanë marrë zgjidhje. Pjesa tjetër vazhdon të jetë ende e patrajtuar në zyrat tona të përmbarimit shtetëror. Ngarkesën më të madhe e ka Tirana, Durrësi dhe Elbasani. Ky volum është përballuar në tërësi nga 65 përmbarues. Shërbimi ka sjellë të ardhura shtesë në buxhetin e shtetit”, tha Manja.

 

Ministri theksoi se projektligji garanton trajtim financiar dinjitoz që do ta bëjë shërbimin preferencial për juristët./ATSH