Për herë të parë në Qendrën Shëndetësore nr. 10 shtohet edhe shërbimi i logopedisë për trajtimin e fëmijëve me çrregullime të komunikimit, çrregullime konjitive etj.
Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu në një postim në rrjetet sociale.
Koçiu theksoi se “prindërit në zonën që mbulon kjo qendër shëndetësore tashmë do të mund të marrin këtë shërbim, i cili do të mundësojë përmirësimin e të folurit tek fëmijët dhe aftësinë për të kuptuar dhe shprehur”.
“Në qendrën tonë shëndetësore është hapur një shërbim i ri. Logopedia është një degë e cila bën vlerësimin, parandalimin, diagnostikimin dhe rehabilitimin e çrregullimeve në komunikim dhe çrregullimeve gjuhësore. Merrem më moshat pediatrike ku mund të ndërhyjmë për vonesa gjuhësore, në të folur, çrregullimi e rrjedhshmërisë siç mund të jetë belbëzimi, çrregullimet e artikulimit, defektet të ndryshme të shkronjave dhe probleme të tjera siç mund të jetë vështirësia e zërit. Me shërbimin e ri shpresojmë t’ju vijmë në ndihmë fëmijëve që kanë probleme në komunikim”, tha një logopede e qendrës shëndetësore nr. 10.
Ministria e Shëndetësisë ka ndërmarrë një sërë reformash në kujdesin parësor, duke shtuar gamën e shërbimeve shëndetësore që ofrohen për qytetarët afër vendbanimit./ata