Minatorët që kishin mbetur të bllokuar në Minierën e Trepçës, janë nxjerrë të gjithë në sipërfaqe.
Lajmin e ka konfirmuar kryetari i Sindikatës së punëtorëve të Trepçës, Ibrahim Jonuzi, i cili ka tha se në orët e para të mëngjesit të 10 prillit, rreth 40 minatorë kanë mbetur të ngujuar në minierë për shkak të një defekti të energjisë elektrike në ashensor.
“Që nga ora 3 e mëngjesit, minatorët kanë mbetur të ngujuar në horizontin e 1, për shkak të një defekti të energjisë elektrike në ashensor”, ka deklaruar Jonuzi.
Jonuzi ka theksuar se minatorët, janë nxjerrë nga miniera përmes formës alternative, përmes rrugës nga ku nxirren mineralet dhe jo përmes ashensorit.Ai bën me dije se minatorët që ishin të bllokuar, pas daljes nuk kanë shprehur shqetësim shëndetësor.
Në vendin e ngjarjes kanë qenë të pranishëm pjesëtarët e Policisë së Kosovës, drejtuesit e “Trepçës”, ekipet e emergjencës dhe ekipet mobile për nxjerrjen e minatorëve të ngujuar.
Defekti në ashensor pamundësoi daljen në sipërfaqe të rreth 40 minatorëve, të cilët qëndruan të bllokuar në minierë për rreth 14 orë.