Kanë përfunduar gërmimet e tunelit të Llogarasë, një segment rreth 6 kilometra i gjatë që do të shkurtojë rrugën për në plazhet e jugut të vendit. Lajmin e ka dhënë kryeministri Edi Rama, i cili ditën e sotme së bashku me ministren e Infrastrukturës Belinda Balluku, inspektuan nga afër punimet në këtë tunel.

“Tanimë është i hapur në krejt gjatësinë e vet, falë përmbylljes së procesit më të vështirë për ndërtimin e kësaj vepre infrastrukturore, që do të shkurtojë konsiderueshëm kohën e udhëtimit drejt Jonit, duke rritur njëkohësisht standardet e sigurisë rrugore. Një punë e bërë në kohë rekord që do të pasohet tani me proceset e tjera, deri në përfundimin e plotë të të gjithë veprës, shpresojmë në 1 qershor të vitit të ardhshëm”, tha Rama në një postim në Facebook teksa postoi videon e momentit kur u hap përfundimisht tuneli. Ishte pikërisht ky moment që u shoqërua me duartrokitje nga të pranishmit.

Sakaq në fjalën e saj ministrja Balluku tha se shpreson që me 1 qershor të 2024-s tuneli i Llogarasë të jetë i aksesuesheëm për të gjithë qytetarët

“Kjo është një vepër e madhe me një tunel tjetër ndihmës me 11 pjesë lidhëse. Shpresoj që edhe në këtë një vit e gjysmë që na ka mbetur punët të ecin mirë dhe unë shpresoj që me 1 qershor të 2024-s tuneli i Llogarasë të jetë i aksesuesheëm për të gjithë qytetarët”, tha Balluku.