Transporti publik falas do të jetë një e mirë që do të ulë kostot e jetesës jo vetëm për banorët e qytetit, por edhe në zonat rurale të bashkisë së Tiranës.
Kështu u shpreh sot në një takim me banorët e njësisë administrative Shëngjergj, kandidati i koalicionit “Bashkë fitojmë” për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi, i cili siguroi se pas 14 majit, transporti publik do të jetë falas edhe për ta.
Sipas tij, “banorët e Shëngjergjit sot e paguajnë 2 mijë lekë të vjetra biletën e autobusit për të shkuar në Tiranë”.
“A bini dakord sikur pas 14 majit ta keni pa pagesë. A e ndihmon zonën ky premtim? A e dini se për buxhetin e bashkisë kjo nuk është asnjë gjë, është vetëm çështje vullneti. Kështu që këtë lehtësi unë ua premtoj se do ta bëj realitet pas 14 majit. Autobusi Shëngjergj-Kinostudio do të jetë pa lekë. Për këtë u jap fjalën”, u shpreh Këlliçi.
Sipas Belind Këlliçit, do të ketë lehtësi për të gjithë qytetarët që dëshirojnë të bëjnë riparime apo investime në pronat e tyre.
Këlliçi u ndal edhe tek rrugët e brendshme rurale, si një tjetër angazhim për të përmirësuar kushtet e jetesës për banorët e Shëngjergjit.
“Ato para që ne do të destinojmë në Njësinë Administrative këtu në Shëngjergj, që edhe administratorin do ta zgjidhni ju vetë, pjesën më të rëndësishme të buxhetit ne do ta dedikojmë për rregullimin, sistemimin e rrugëve të brendshme në Shëngjergj, sepse ka një nevojë urgjente aty”, u shpreh Këlliçi.
Para banorëve të kësaj njësie, Këlliçi prezantoi edhe paketën fiskale, e cila prek banorët e zonave rurale me heqjen apo reduktimin e disa taksave dhe tarifave vendore, përfshirë taksën për tokën.
“Kam premtuar në paketën time të uljes së taksave dhe tarifave, diçka që ju prek drejtpërdrejt, përveç reduktimit të taksës së arsimit që është një taksë që ka shkuar dëm, ka mbledhur 41 milionë euro nuk ka bërë një shkollë, përveç uljes së taksave me 30% dhe përgjysmimit të tarifës me 50% të tarifës së pastrim gjelbërimit edhe të hapësirë publike, ka një premtim që juve u prek drejtpërdrejtë është taksa zero për tokën bujqësore për pjesën që i përket bashkisë”, tha Këlliçi.
Belind Këlliçi u shpreh para banorëve se me ndryshimin e administratorit të Njësisë Administrative, do të ketë edhe menaxhim të mirë të situatës me furnizimin me ujë të pijshëm.
Duke prekur plagën e madhe të shpopullimit dhe largimit të të rinjve nga vendi, Belind Këlliçi u shpreh se do të punojë pas 14 majit, që në Tiranë dhe zonat rurale të rikthehen të rinjtë dhe familjet që kanë ikur gjatë këtyre viteve.