Avokati mbrojtës i Izet Haxhisë, Idajet Beqiri, ka deklaruar ditën e sotme se dyshon që klienti i tij është tentuar që të helmohet në burgun e Reçit.

 

Në një deklaratë të bërë, ai shprehet se në qelinë e ish-truprojës së Berishës është dërguar një pako e dyshimtë me ilaçe, që sipas tij përmes saj kanë tentuar ta helmojnë.

 

Sipas avokatit, Haxhisë i është thënë nga punonjësi i burgut se pakoja me ilaçe i ka ardhur nga e motra, gjë që kjo e fundit e ka mohuar.

 

Pas kësaj situate bëhet me dije nga avokati, se Izet Haxhia ka kërkuar takim urgjent me drejtuesit e Burgut të Reçit, por i ka shkuar një përfaqësues duke i thënë se ishte bërë një “gabim”, pasi dërgesa nuk dihej cilit të burgosur i përkiste, sikurse nuk identifikonin as personin që kishte futur pakon me ilaçe deri në dhomën e izolimit të Burgut.

 

“Në datën 10 prill 2023, në dhomën e izolimit të Burgut të Reçit, ku ndodhet ende i paraburgosur Izet Haxhia, i ka shkuar një “pako me ilaçe”!

 

Izet Haxhia ka pyetur punonjësin e Burgut se cili nga familjarët e tij i kishin sjellë këto “ilaçe”. Punonjësi i IEVP Reç i ka thënë se këtë pako me “ilaçe” dhe “vitamina” t’a kanë sjellë njerëzit e familjes tënde. 

Meqenëse Izet Haxhia plotësimin e nevojave të tij për ilaçe, ushqime etj, i bënë vetëm përmes motrës së tij me banim në Tiranë, i ka telefonuar asaj.

Motra e tij Ilmia, tepër e shqetësuar, e ka vënë në dijeni se nuk i ka sjellë asnjë llojë “ilaçi” atij, dhe e ka porositur të vëllan që të mos i përdorte ato në asnjë rrethanë!

Izet Haxhia ka kërkuar takim urgjent me drejtuesit e Burgut të Reçit, por i ka shkuar një përfaqësues dhe i ka thënë që ishte bërë një “gabim”, pasi dërgesa nuk dihej cilit të burgosur i përkiste, sikurse nuk identifikohej as personi që i kishte futur këto “ilaçe” deri në dhomën e izolimit të Burgut ku qëndron Izet Haxhia. 

 

Izet Haxhia është larguar me urgjencë nga Burgu 302 “Mine Peza” në Tiranë dhe është transferuar në Burgun e Reçit me arsyetimin se ishte në kushte paraburgimi dhe duhet të kalonte në regjim kampi në IEVP Reç. Në fakt ai për 20 ditë mbahet i izoluar shumë më keq se një i paraburgosur në Burgun e Reçit, duke lënë shkas për veprime të tilla të dyshimta, si kjo me “ilaçet”, për t’a eleminuar atë fizikisht! Bota e krimit, e cila i ka tantakulat e saj shumë të forta në Burgje, për shkak të një kallëzimi penal tepër serioz që Izet Haxhia ka bërë kundër ish Presidentit të Republikës Sali Berisha, ish Kryeministrit Ilir Meta etj, kallëzim penal që është rregjistruar në SPAK në vitin 2019 dhe është në proces hetimi, kërkojnë eleminimin e tij.

 

SPAK, megjithëse e ka për detyrë t’a marrë në mbrojtje të posaçme këtë kallëzues dhe dëshmitarë okular për një numur të konsiderueshëm krimesh tepër të rënda të kryera në kuadrin e organizatës kriminale prej dy ish pushtetarëve më të lartë të vendit, Sali Berisha, Ilir Meta, etj, jo vetëm që i zvarrit prej 4 vjetësh pa shkak hetimet, por me qëndrimin e vet jo ligjor, e lë këtë kallëzues dhe dëshmitar okular në mëshirën e krimit të organizuar për t’i marrë jetën atij. “Alarmi” që ka dhënë Ilmie Haxhia, motra e Izet Haxhisë, pas aktit të paprecedent me të ashtuquajturat “ilaçe”, duhet vlerësuar me seriozitetin e kërkuar nga ligji nga Ministria e Drejtësisë dhe SPAK, për të siguruar jetën e Izet Haxhisë”, tha Idajet Beqiri.