Kompanitë e sigurimeve paguan 128 milionë lekë, ose rreth 1.1 milionë euro në dy muajt e parë të këtij viti për dëmet e shkaktuara nga automjetet shqiptare jashtë vendit.

 

Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), vlera e dëmeve në produktin e Kartonit Jeshil është rritur me 174 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

 

Pjesa më e madhe e daljeve jashtë vendit kryhen në rrugë tokësore dhe kjo është reflektuar edhe në rritjen e primeve të sigurimit nga Kartoni Jeshil. Për vitin e kaluar, primet e shkruara bruto për këtë produkt u rritën me 38 % krahasuar me vitin 2021, ndërsa rritja ka vazhduar edhe për dy muajt e parë të këtij viti, me 14.6 % më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Produkti i Kartonit Jeshil, ose Certifikata Ndërkombëtare e Sigurimit Motorik, certifikon dhe garanton sigurimin e Përgjegjësisë Civile ndaj palëve të treta, në të gjitha vendet anëtare pjesë e sistemit të Kartonit Jeshil.