Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaron se ekonomia shqiptare ka reaguar mirë në vitet e fundit, pavarësisht vështirësive me të cilat është përballur e gjithë bota.

 

Në një intervistë për emisionin Top Story  mbrëmjen e djeshme, Ibrahimaj foli për reformën e ndërmarrë për rritjen e  pagave.

 

Ajo u shpreh se kemi arritur një stad të zhvillimit ekonomik që na mundëson të ndërmarrim një reformë kaq të madhe që nuk ka ndodhur asnjëherë tjetër.

 

“Kemi pasur dy vite të cilat ndonëse për ekonominë globale kanë qenë të vështira, ekonomia shqiptare ka reaguar mirë në vitin 2020. Si të gjithë vendet e botës ne kaluam në recesion, megjithatë që në tre mujorin e katërt të 2020 patëm rritje pozitive. Ekonomia shqiptare reagoi me fleksibilitet që erdhën qoftë nga politikat e qeverisë qoftë nga dinamizmi i biznesit shqiptar”, theksoi ministrja.

 

Ministrja u shpreh se në fillim të vitit 2021 u shënua rritje 8.5% të ekonomisë shqiptare.

 

“Besojmë që qoftë sa i përket publikut i cili është punëmarrësi më i madh edhe privati  ka arritur një nivel që mund të përballojë dhe duhet të përballojë paga më të larta. Në miksin e politikave që bëmë për pagat anoncuam pak kohë më parë edhe rritjen e pagës minimale, është i vetmi element që qeveria ka në dorë për të ndikuar pagat në sektorin privat”, deklaron Ibrahimaj.

 

Sipas saj, rritja ekonomike është e lidhur me rritjen e të ardhurave.

 

“Këtë vit patëm performancë të mirë të të ardhurave, ato ndikuan pjesërisht nga çmimet, por edhe nga rritja ekonomike, por edhe mirë administrimi, proceset e digjitalizmin që kanë sjellë rritje të performancës së të ardhurave. Pjesërisht kjo reformë do të financohet nga vijimi i rritjes së të ardhurave që do të ndikojë nga këto element, por edhe politika fiskale në harkun kohor të 7 viteve”, ka theksuar ministrja. /Top Channel/