Dhjetë ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ende nuk ka miratuar listën e qendrave të votimit.

 

 

Mediat vendase kujtojnë se deri tani është votuar në shkolla, por këtë herë pak gjasa ka që kjo të ndodhë, duke qenë se shkollat në këtë zonë kontrollohen nga sistemi serb që kundërshton mbajtjen e këtyre zgjedhjeve.

 

Është diskutuar që për këtë qëllim të shfrytëzohen qendrat alternative dhe stacionet policore. Sipas ekspertëve, mos caktimi i qendrave të votimit hedh hije dyshimi mbi zhvillimin e aktivitetit zgjedhor.

 

 

Votimet për kryetar të komunave të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviçit u caktuan të mbahen në 23 prill. Subjekti më i madh politik në katër komunat në veri të Kosovës është Lista Serbe, që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

 

Kjo forcë politike ka udhëhequr katër komunat në veri, duke grumbulluar mbi 90 për qind të votave në zgjedhjet e kaluara, por ajo është shprehur kundër zgjedhjeve të 23 prillit dhe nuk ka aplikuar për pjesëmarrje në garë. Mjaft serbë në veri të Kosovës thonë se nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve dhe ata vetë nuk do të dalin në votime.

 

“Jo, kështu si janë gjërat, kushtet nuk janë të duhurat. As që mendoj të dal në zgjedhje… Zgjedhjet duhet të mbahen kur të krijohen kushtet. Se kur do të ndodhë kjo nuk e di”, ka thënë një banore e Mitrovicës Sllobodanka Zaporozhac.

 

“Në një situatë të tillë, nuk ekzistojnë aspak kushtet për të dalë në zgjedhje… dhe në një situatë të tillë mendimi im personal është se nuk ka kushte as minimale për zgjedhje…”, ka thënë një banor tjetër.