Deputetja e Partisë Demokratike, Flutura Açka foli sot në Kuvend, për projektligjin për mediat audiovizive, të cilin e konsideroi si një arnim të ligjit për mediat.

 

Ndërsa diskutohej projektligji për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 97/2013 për mediat audiovizive, në fjalën e saj në Kuvend, deputetja e Partisë Demokratike, Flutura Açka tha se, ndreqjet e këtij ligji do të kërkojnë akte të reja nënligjore nga AMA.

 

Açka theksoi se, nxitimi për arnat e këtij ligji sot e që ju do ta kaloni, e tejkalon kujdesin e domosdoshëm për shqyrtimin e tij.

 

“Vonesa nga mbyllja e procesit të diskutimit publik, deri në përcjellje në Parlament, shqyrtimi me publikun në vetëm një muaj kohë, mospërfshirja e të gjitha grupeve të interesit në amendimet e nevojshme, mungesa e konsultës me shoqatat që mbrojnë të drejtat e fëmijëve edhe pse ligji bën rregullime të tilla, shtyrja për një kohë tjetër e sugjerimeve të përfaqësuesve të biznesit të fushës, nxitimi për ta kaluar në parlament veshur me ambalazhin e detyrimeve të procesit të integrimit, më bëjnë skeptike, gjë që do ta bëjë skeptike edhe votën time. Ndreqjet e këtij ligji do të kërkojnë akte të reja nënligjore nga AMA dhe madje shumë shpejt një infrastrukturë te re për kryerjen e detyrave që i lë ky ligj. Jam e bindur se AMA do të vijë shumë shpejt me një kërkesë të re për shtimin e personelit, ku nuk ka as pak javë që kaluam në heshtje të plotë një rritje prej 30 % të tij dhe më së shumti personel pa efektivitet, magazinierë e postierë, jo monitorues e mbikëqyrës të tregut audioviziv”, tha ajo.

 

“Rregullimi në ligj kërkon që pronarët e platformave audiovizive të jenë transparentë dhe të shënuar qartë, dhe po të mos e kujtosh se vetëm disa ditë më parë dy portale të rëndësishme të informimit të publikut, si JOQ dhe Lolita të mos sulmoheshin nga persosnazhi më abuziv mediatik që kohët shqiptare kanë njohur ndonjëherë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, do ta besoje se rregullimi është i sinqertë. Ndreqjet e këtij ligji kërkojnë që tregu audioviziv të veprojë në bazë të vetërregullimit, por në fakt në një treg pa rregulla të qarta vetërregullim do të thotë abuzim, do të thotë gjoba. Gati në 3 mijë euro shkon heqja e një shkrimi të padrejtë nga portalet abuzive, pjesa më e madhe e të cilëve janë media të licencuara, të cilat nuk mbajnë asnjë përgjegjësi askund”, tha Açka.