Bashkëpunëtori i Drejtësisë Ernejt Shyti ka vijuar dëshminë në Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për vrasjen e Behar Sofias. Ai tregoi para togave të zeza se do të bënte dhe dy vrasje të tjera pas ekzekutimit të 66-vjeçarit.

 

“Për asnjërin nuk kisha as emër as fotografi. Xhuljano Vishaj më kishte porositur por pa më dhënë detaje. Për vrasjen në Kamëz më kishte thënë që do e kryente vetë, ndërsa atë në Gjermani do e kryeja unë përkundrejt 500 mijë eurove”.

 

28 ditë ka zgjatur vëzhgimi i Behar Sofisë nga Ernejt Shytaj, madje tregon edhe një episod konkret.

 

“Disa ditë para ngjarjes, e kam ndjekur Behar Sofinë nga Piramida deri tek ish-ekspozita. E identifikova por nuk e kreva dot vrasjen. Atentatin ndaj Behar Sofisë e bëra për 50 milion lekë, paratë nuk i mora asnjëherë, pavarësisht se Xhuljano Visha më kishte thënë se do ti merrja 3 ditë pas ngjarjes. Bujar Lezën e kam takuar për biçikletën, me Xhuljano Vishën, më pas më ka pyetur edhe nëse do i ndërroja rrobat kur të kryeja ekzekutimin. Mësova se Bujari i kishte thënë Xhulios se edhe armën e kishte gjetur. Vrasjen më tha Visha do e bënte për hasmëri, por se për çfarë dhe nga kush ishte porositur nuk e di. Ditën e krimit, nuk mu shkrep arma, e mbusha dhe pastaj qëllova dy herë. Skënder Vathi do më merrte te Liqeni Artificial, por nuk erdhi. Kam ikur drejt Malit të Zi me vëllain dhe Xhuljano Vishën, nuk kemi ndaluar askund as për të ngrënë. Për komunikim me anëtarët e gruoit, kisha një telefon të markës “Iphone” që ma dha Xhuljano Visha të cilit ia ktheva dhe një “Nokia” që ma dha Leonard Xhixha. Ky i fundit, kur kam kryer vrasjen, ka qenë duke vëzhguar shenjestrën, kur kaloi te trotuari, më ka thënë se jam këtu afër dhe se po shkonte te lokali”.

 

Bujar Leza ndërhyri dhe tha se une nuk kam njohje me Ernejt Shytin.

 

Në seancën e radhës do të paraqiten dy dëshmitarë të tjerë dhe të pandehurit nëse do të japin pëlqimin për tu pyetur.  Ata janë Skënder Vathi, Xhuljano Visha, Leonard Xhixha dhe Bujar Leza.