Me rastin e zyrtarizmit të 14 Prillit – Dita e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) dhe Zyra e Presidentes organizuan marsh në mbështetje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Përfaqësues të institucioneve të vendit përfshirë nga Zyra e Presidentes, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, viktima të dhunës seksuale gjatë luftës dhe të rinj janë bashkëngjitur në këtë marsh që filloi nga sheshi "Skenderbeu" deri tek monumenti "Heroinat".
Feride Rushiti, drejtoreshë e QKRMT-së tha se 14 prilli shënohet me moton "Të rinjtë mbështesin viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës".
"Një kujtesë e tillë kolektive përveç që i nderon dhe ua lehtëson vuajtjet shpirtërore të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, pa dallim etnie, religjioni apo statusi shoqëror, pa dyshim, që më së shumti do t’i shërbejë gjeneratave të reja, atyre që i kanë në dorë fatet e kësaj shoqërie, atyre që mund të ndikojnë dhe kontribuojnë pozitivisht në integrimin e plotë në shoqërisë të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës", theksoi Rushiti.
Ajo u kërkoi të mbijetuarve dhe familjeve të tyre që të kërkojnë të drejtat e tyre të garantuara me ligj ndërsa nga autoritetet që të mos kufizojnë afatet e regjistrimit të viktimave për të realizuar të drejtat e tyre.
E mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës, Vasfije Krasniqi-Goodman, e cila me rrëfimin e saj publik u bë zëri i të gjithë të mbijetuarve të dhunës seksuale, tha se për shumëkënd 14 prilli është vetëm një datë, ndërsa për të është dita më e keqe e jetës.
"Unë këtë ditë dua ta shndërroj në forcë, në guxim, në kurajo, t'u jap forcë viktimave që zëri ynë të dëgjohet tërë botën se çfarë ka bërë Serbia në Kosovë gjatë luftës 1998-99", tha Krasniqi-Goodman.
Këshilltarja e Presidentes së Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi tha se të mbijetuarit duhet të jenë në qendër të procesit të shërimit të shoqërisë.
"Dhunimi i më shumë se 20 mijë personave në Kosovë, dhunimi sistematik i grave në Bosnjë e Hercegovinë, sikurse edhe dhunimet masive që sot po ndodhin në Ukrainë, dëshmojnë se njerëzimi vazhdon të përballet me dhunën seksuale. Një ndër krimet më çnjerëzore të shndërruar në armë lufte kundër civilëve, gra dhe burra, shpesh edhe fëmijë. Këto krime që po vazhdojnë të ndodhin edhe në këtë shekull shtrojnë domosdoshmërinë për t'u angazhuar fillimisht në identifikimin e këtyre viktimave, t'i çmojmë për kurajon dhe t'i mbështesim”, tha Kadaj-Bujupi.
Ministrja Haxhiu premtoi mbështetje institucionale për viktimat dhe tha se për t'i dhënë fund dhunës seksuale në të gjitha format e saj nevojitet angazhim i përbashkët.
Me propozim të presidentes, Vjosa Osmani, Qeveria e Kosovës ditë më parë e caktoi datën e sotme si ditë që do t’i dedikohet të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit.
Gjatë luftës së fundit në Kosovë konsiderohet se rreth 20 mijë persona kanë qenë viktima të dhunës seksuale. 14 Prilli përkon me datën famëkeqe të vitit 1999 atëherë kur Vasfije Kraniqi-Goodman, në atë kohë 16-vjeçe, u rrëmbye nga një polic serb dhe u dërgua në fshatin Babimost, ku u dhunua seksualisht.
Qeveria e Kosovës në muajin shkurt të vitit 2018 ka filluar procesin e regjistrimit të statusit të individëve të dhunuar gjatë luftës dhe verifikimin e tyre. Deri në muajin prill janë aprovuar 1.473 raste nga të cilat 1.402 janë të gjinisë femërore ndërsa 71 janë të gjinisë mashkullore./AA